2010-05-31 18:19:21

Selia e Shenjtë emëron vizitatorët apostolikë për skandalin e abuzimeve në Kishën e Irlandës


Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri të ditur sot vendimin e Papës për Vizitën Apostolike, që e pati lajmëruar në letrën drejtuar katolikëve të Irlandës. Vizitatorët e caktuar nga Benedikti XVI do të thellohen në problematikat e dala nga abuzimi i disa anëtarëve të klerit me të miturit. Vizita do të fillojë në vjeshtë dhe do të përfshijë katër kryedioqeza irlandeze (Armag, Dublin, Kashel dhe Emli, Tuam). Do të kontrollohet edhe formimi i klerit, jo vetëm në seminaret e Institutet rregulltare në vend, por edhe në seminaret dhe në Kolegjin Papnor Irlandez në Romë.
Në notën, që shoqëron komunikatën e Selisë së Shenjtë, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi sqaron se prelatët e caktuar si vizitatorë janë të nivelit të lartë. Shqyrtimi i katër dioqezave irlandeze u është besuar kardinajve Marfi O’Konor dhe O’Mallej (ish-kryeipeshkëv i Uestminsterit i pari, dhe kryeipeshkëv i Bostonit, i dyti), si edhe dy kryeipeshkvijve kanadezë Kollins dhe Prendergast (njëri i Torontos, tjetri i Otauës). Seminaret do t’i kontrollojë kryeipeshkvi i Nju Jorkut, imzot Timoti Dolan, ndërsa institutet e rregulltarëve dhe të rregulltareve, redemptoristi Jozef Tobin, jezuiti Gero MekLaflin, motra Sharon Holland e Zemrës së Papërlyer të Zojës, motër Mairin MekDonaf, kanoniste.
Në komunikatë saktësohet se qëllimi i vizitës duhet kuptuar si “ndihmë e Selisë së Shenjtë për ipeshkvijtë, klerin, rregulltarët dhe besimtarët laikë, që të përballojnë sa më mirë situatën e shkaktuar nga ngjarjet tragjike të abuzimeve, kryer nga meshtarë e rregulltarë, në dëm të të miturve, dhe si kontribut për përtëritjen shpirtërore e morale, të dëshiruar e të filluar nga Kisha në Irlandë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.