2010-05-31 18:21:54

Rojtari i Tokës Shenjte komenton sulmin detar në Gazë: tragjedi e kotë, që mund të shmangej


(31.05.2010 RV)“Tragjedi e kotë, që mund të shmangej”: kështu komentoi sot Rojtari i Tokës Shenjte, atë Pierbatista Picabala, sulmin e marinës izraelite kundër anijes turke “Mavi Marmarà”, e cila bënte pjesë në Flotiljen e Lirisë, që çonte ndihma humanitare në Rripin e Gazës. Gjatë këtij sulmi, natën e kaluar, u vranë së paku 19 vetë nga vullnetarët e organizatave joqeveritare të vendeve të ndryshme, që ndodheshin në anije. “Një tragjedi, që nuk do ta ndihmojë të ashtuquajturin proces të paqes e nuk kontribuon në krijimin e atmosferës së nevojshme, që bisedimet të jenë sadopak të mundshme” – deklaron për agjensinë katolike SIR, atë Picabala, i cili denoncon pasivitetin e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve të Lindjes së Mesme.
Edhe drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi theksoi paradite se ngjarja është tepër e dhimbshme, sidomos për humbjen e kotë të jetëve njerëzore. Gjendja është shqetësuese dhe ndiqet me vëmendje nga Vatikani. “Papa – theksoi atë Lombardi – i cili do të shkojë pas pak ditësh në zonën e Lindjes së Mesme, nuk do të mungojë se ripropozuari me këmbëngulje mesazhin e paqes”.
Ndërkaq, gjendja në vend mbetet e rëndë. Izraeli mbrohet duke thënë se i është përgjigjur zjarrit të anijeve, të cilat janë përpjekur të thyejnë kordonin ushtarak përreth Gazës. Vullnetarët deklarojnë se sulmi është bërë në ujra ndërkombëtare, pasi kanë ngritur flamurin e bardhë. Gjithsesi, Tel Avivi rrezikon të paguajë një çmim shumë të lartë për aktin. Turqia, nga ku vinte organizata joqeveritare në krye të flotiljes, thirri urgjentisht ambasadorin izraelit, anulloi tri stërvitje ushtarake të përbashkëta dhe deklaroi se pasojat do të jenë të pariparueshme. Nesër do të mblidhet urgjentisht Lidhja Arabe e Libani ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Presidenti palestinez, Abu Mazen shpalli tri ditë zie në Territore, ndërsa Hamasi bëri thirrje për Intifadë kundër të gjitha ambasadave izraelite në botë. Në Haifa, në universitetin shumëetnik të Izraelit, ka pasur ndeshje ndërmjet studentëve arabë dhe atyre hebraikë. Krejt bota ka shprehur indinjatë për aktin dhe ka kërkuar të sqarohet sa më shpejt dinamika e incidentit.







All the contents on this site are copyrighted ©.