2010-05-31 18:12:04

Për muajin e qershorit, Papa u kërkon besimtarëve të luten për ‘grigjën e vogël’ të Azisë


(31.05.2010 RV)Në ndjetin e përgjithshëm për muajin qershor 2010, Papa u kërkon besimtarëve të luten që çdo institucion kombëtar e mbikombëtar të impenjohet për të garantuar respekimin e jetës njerëzore, nga zënia deri në perëndimin saj të natyrshëm.
“Të lutemi, që Kishat në Azi, grigjë e vogël ndërmjet popullsive jo të krishtera, të dinë ta komunikojnë Ungjillin e ta dëshmojnë me gëzim bashkimin e tyre me Krishtin”. Ky është ndjeti misionar i lutjes së Papës për muajin qershor. Për të flet, në mikrofonin tonë, ipeshkvi indian imzot Feliks Entoni Makado:RealAudioMP3
 
Përgjigje: - Grigjë e vogël, nuk do të thotë pa kurrfarë vlere. Të krishterët janë tejet të pranishëm në Kontinentin aziatik, pikërisht përmes kishave të tyre të vogla. Dëshiroj ta theksoj posaçe këtë pikë. Prania e Kishës, ndonëse grigjë e vogël, nuk është aspak e papërfillshme. Shën Toma Apostull erdhi këtu për të predikuar Ungjillin e për të themeluar Kishën. Prandaj nuk mund të bëhet fjalë vetëm për të krishterë të rinj, të kohëve të fundit, të ungjillëzuar pak kohë më parë. Këtu bashkësitë e krishtera kanë rrënjë të thella. Mbi bazën e tyre lulëzojnë të krishterët e rinj, gjithnjë më të shumtë. Pak nga pak Lajmi i Mirë po përhapet kudo në këtë pjesë të botës, Zoti është vërtetë i pranishëm, ashtu si hiri i Tij, sepse shumë prej besimtarëve janë edhe misionarë. Fjalët “grigjë e vogël” të Atit të Shenjtë, duhen lidhur me rrethanat, në të cilat jeton këto grigjë, vërtetë e vogël, por shumë e fuqishme, jashtëzakonisht e pranishme. Është pikërisht kështu: e pranishme në të gjitha fushat e jetës.

Pyetje: - Të kumtosh Ungjillin e ta dëshmosh me gëzim, në bashkim me Krishtin – është porosia e Papës, i cili nuk e harron se besimtarët, në këtë pjesë të botës, janë të thirrur ta bëjnë këtë edhe me çmimin e jetës, sepse gjithnjë më shpesh, edhe në Indi, persekutohen, bëhen viktima të dhunës…

Përgjigje: - Po, është e vërtetë edhe kjo: që Kisha nuk është pa vështirësi e vuajtje, por pa harruar se kontinenti i Azisë është në kërkim të Zotit, gjë që i jep jetë shumë feve, të cilat praktikohen këtu e, si pasojë, ndihmon edhe Kishën katolike. Në Azi kemi këtë të mirë: bashkimi me Jezu Krishtin nuk u kundërvihet traditave të vendit. Për mua, të ndërtosh ura miqësie ndërmjte feve të ndryshme, nuk do të thotë të vësh në dyshim apo të mos e përfillësh unicitetin e Krishtit. Urat e miqësisë duhen ndërtuar, sepse na krijojnë kushtet e përshtatshme për të predikuar Ungjillin, për të predikuar Jezu Krishtin në trojet e Kontinentit, ku Zoti ynë lindi, jetoi, u kryqëzua e u ringjall. Janë e duhet të jenë trojet e Jezu Krishtit!

E, në sa i ftojmë të gjithë besimtarët të bashkohen me lutjen e Papës, u kujtojmë edhe se, pas përfundimit të Majit, nis një muaj tjetër i përkushtuar, ai i Zemrës së Krishtit, me rruzaren përkatëse, që nis me fjalët kuptimplote për çdo njeri: “O i Lumi Jezu Krisht zemër butë e i përvujtë, bëj që zemra ime t’i përngjajë Zemrës sate”.







All the contents on this site are copyrighted ©.