2010-05-31 06:10:15

Editorial i atë Federiko Lombardit: “Pse Qipro?”


Nga data 4 deri më 6 qershor, Papa Benedikti XVI do të shkojë për vizitë në Qipro, ishull i ndarë ndërmjet pjesës greke e asaj turke, që paraqet jo pak probleme për Bashkimin Evropian e për bashkësinë ndërkombëtare. Pikërisht aty, Papa do të takohet me ipeshkvijtë e Lindjes së Mesme. Kësaj vizite i kushtohet editoriali i sotëm i zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“Shumë pyesin pse Papa duhet të shkojë pikërisht në Qipro për të takuar ipeshkvijtë e Lindjes së Mesme e për t’u dorëzuar atyre dokumentin e punës për Sinodin e ardhshëm, takim i rëndësishëm kishtar në muajin e tetorit. Përgjigjia është e thjeshtë. Mjafton të lexohen Veprat e Apostujve, tregimet mbi hapat e para të shpalljes së Ungjillit në botë, pas Ringjalljes së Jezu Krishtit. Qiproja përmendet të paktën gjashtë herë. Nga Qipro vjen Barnaba, një ndër të parët, që u bashkuan me apostujt në Jeruzalem. Qiproja është etapa e parë – e vështirë, por e frytshme – e udhëtimit të parë misionar të Shën Palit, Shën Barnabës dhe të ungjilltarit të ardhshëm, Shën Markut. Barnaba kthehet më pas të ungjillëzojë Qipron, pasi u përgatit nga Shën Pali. Përgjatë brigjeve të Qipros kalon e rikalon Shën Pali në udhëtimet e tij të mëvonshme, duke përfshirë edhe të fundit, që e çon në Maltë e në Romë.
Mjafton t’i hedhim një sy hartës gjeografike për të kuptuar se Qiproja është udhëkryq strategjik, prandaj edhe kulturor e shpirtëror në zonë, me histori të lidhur ngushtë me atë të Tokës Shenjte. Këtu kalonin udhët e shtegtarëve hebrenj e të krishterë për e nga Jeruzalemi, udhët e lundruesve ndërmjet Lindjes e Perëndimit, ndërmjet Azisë dhe Evropës. Nëse nga njëra anë, krijon habi fakti që Gjon Pali II nuk shkeli kurrë mbi ishull, nga ana tjetër, nuk ka kuptim të çuditemi për faktin se Benedikti XVI pranoi me dëshirë ftesën për të shkuar si vizitor e shtegtar, në një udhëtim, i cili, idealisht, është vazhdim i atij në Maltë, duke u ngjitur në Mesdhe drejt Lindjes, dhe lidhet edhe me udhëtimin e rëndësishëm të vitit të kaluar në vetë Tokën Shenjte.
Pra, nga Qipro, nuk mund të mos shikojmë përreth vetes, nuk mund të mos lutemi e të shpresojmë që shpallja e shërbimi ndaj Ungjillit të jetë burim dialogu, bashkimi kishtar, zhvillimi njerëzor e burim paqeje për të gjithë, në një rajon shumë të dashur për të gjithë besimtarët, por që akoma përshkohet nga tepër vuajtje e përçarje”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.