Takim në Romë me temë “Lidhja e vuajtjes me fenë”: fjala e imzot Zimovskit
(28.05.2010 RV)“Ta kuptosh dramën e vuajtjes, përmes misterit të fesë”. Ky
është qëllimi i takimit “Sëmundja përmes misterit të fesë, nga lashtësia, në kohët
moderne”, që u hap dje në Romë, pranë Kompleksit Monumental të Shpirtit Shenjt, në
Sasia, e që do të përfundojë nesër, në Poliklinikën ‘Gemelli’. Takimi, organizuar
nga Universiteti gjenovez i Studimeve, në bashkëpunim me Universitetin Katolik romak
të Zemrës së Krishtit, ka në qendër të vëmendjes qëndrimin ndaj sëmundjes, parë me
syrin e misterit të fesë. Intervistuam, për këtë, kryeipeshkvin Zigmunt Zimovski,
kryetar i Këshillit Papnor për Baritorinë e Shëndetit:
Përgjigje:
- Ky binom takohet në Jezu Krishtin, që erdhi e vuajti për ne, për shpëtimin
tonë; Ai nuk e zhduku sëmundjen, vuajtjen, por e shëlboi atë.
Pyetje:
- Si mund t’i ndihmojë Kisha të sëmurët për ta pranuar vuajtjen?
Përgjigje:
- Para së gjithash, duhet të jemi tejet solidarë, posaçërisht me familjet,
që kujdesen për të sëmurët, sepse kur flasim për sëmundjen, nuk duhet të mendojmë
vetëm për spitalet, por edhe për familjet, në gjirin e të cilave jetojnë të sëmurët,
nganjëherë edhe me sëmundje të pashërueshme, që e mbërthejnë njeriun në krevat për
një kohë të gjatë. E sot mendja të shkon tek sëmundje si alzaimeri, parkinsoni e të
tjera e të tjera. Dikush duhet t’u qëndrojë pranë këtyre njerëzve. Mjekët, sidomos.
Edhe kur nuk mund të bëjnë më asgjë për t’i shëruar. Prandaj sot flitet shumë për
humanizimin e mjekësisë.
Të dëgjojmë, në vijim, edhe komentin e Paolo
Magjistrelit, punonjës i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit e një nga
organizatorët kryesorë të takimit:
Përgjigje:
- Mjekësia nuk është dora e Zotit, nuk është e gjithëpushtetshme, nuk ishte
në të kaluarën, e nuk është as sot, pavarësisht nga shpresat, që ka njeriu në të.
Por nuk duhet harruar se mjekësia mund të ndihmojë shumë, sidomos në përballimin e
disa sëmundjeve, në mënyrë që të mbarten me durim e për një kohë shumë më të gjatë,
sesa në të kaluarën - e pikërisht kjo duhet të jetë përpjekja aktuale – të ndihmohet
i sëmuri, jo sëmundja, sepse ka një ndryshim të madh ndërmjet tyre. Mjekësia teknologjike
e shkencore përpiqet të mjekojë sëmundjen. Kështu po harrojmë se sëmundjen e vuan
i sëmuri, që duhet mjekuar në mënyrë të gjithanëshme. Kjo do të thotë se nuk mjaftojnë
ilaçet, as mjetet moderne teknologjike. Njeriu ka nevojë për më shumë. Për një fjalë
të mirë, për një qëndrim human, për ta ndarë vuajtjen me tjetrin, që i rri pranë e
vuan shpirtërisht bashkë me të.
Pyetje: - Në ç’pikë mjekësia takohet
me fenë?
Përgjigje: - Besoj se në shumë raste, paradoksalisht,
është mjekësia ajo, që e ringjall në shpirt fenë. Të bën përshtypje të thellë kur
shikon sesi përballë sëmundjeve, si atyre që shërohen shpejt, ashtu edhe atyre që
mund të mos shërohen kurrë e ta çojnë njeriun në varr, shumëkush rigjen fenë, që nuk
e kishte, ose që e kishte humbur, gjë që e ndihmon ta kuptojë sëmundjen, e cila duket
krejt e pakuptueshme. Reagimi i parë, kur njeriu preket nga sëmundja, shprehet me
fjalët: “E pse pikërisht mua?”. Përgjigjen e kësaj pyetjeje duhet ta kërkojmë brenda
nesh. E shumë edhe e gjejnë. Mendoj se kemi të bëjmë me një takim të mrekullueshëm.