2010-05-28 12:49:28

Mesazhi i Papës për dyqindvjetorin e Argjentinës.


(28.5.2010 RV)Harmoni dhe përparim për Argjentinën që këto ditë kremtoi 200-vjetorin e Revolucionit të Majit. Ky është urimi i Papës Benediktit XVI në mesazhin dërguar të martën e kaluar gjatë kremtimit eukaristik në Bazilikën e Zojës Sonë të Luhanit nga Nunci apostolik, kryeipeshkvi Adriano Bernardini.
“I shprehi përzemërsinë dhe afërsinë time të gjithë argjentinasve, të cilët i kujtoj në lutjet e mia, duke i kërkuar Zotit që t’i bekojë me harmoni, paqe dhe përparim”.
Në ceremoni, ku mori pjesë edhe presidentja e Argjentinës Kristina Fernandez de Kirhner dhe autoritete të huaja, kryeipeshkvi i Buenos Ajresit dhe prelati i parë i Argjentinës, kardinali Horge Mario Bergoljo, gjatë lutjes “Te Deum”, vuri në dukje se situata e tashme kërkon “një pjesëmarrje të gjerë dhe përgjegjësi nga ana e të gjithë argjentinasve dhe veçanërisht nga ana e udhëheqësve të kombit”.
Duhet kapërcyer, uroi ai çdo përfitim sektorial apo korporativ dhe “duhet të punojmë së bashku për të mirën e të gjithëve duke i kushtuar vëmendje të vazhdueshme cilësisë së jetës së njerëzve më të varfër dhe më të braktisur nga shoqëria.”
Sipas kardinalit Bergoljo “lënia pas dore e cilësisë së jetës së njerëzve është e lidhur ngushtë me shëndetin e kushtetutës dhe të institucioneve. Veprimtaria e tyre e dobët shprehet pastaj në një kosto shoqërore të lartë.” Përkundrazi, qëndrueshmëria e kushtetutës dhe cilësia e institucioneve janë garancia “më e sigurtë për të realizuar përfshirjen e të gjithëve në bashkësinë kombëtare.”
Prandaj, shtoi kardinali, është e nevojshme që autoritetet e shtetit, duke respektuar kompetencat e veta, nivelet dhe autonomitë e ligjshme, të “integrohen dhe të plotësohen reciprokisht sipas perspektivës së shërbimit ndaj së mirë së përbashkët.”
Një e mirë, që duhet të kthehet në ligje “që interpretojnë dhe kënaqin kërkesat reale të personave, të shtetasve.”: ose më saktë, që nuk e dhunojnë të drejtën natyrale, por mbajnë parasysh “natyrën e individit, të familjes, të shoqërisë”. përfundoi kardinali Bergoljo.







All the contents on this site are copyrighted ©.