2010-05-28 10:33:29

Komisioni Evropian miratoi sot propozimin për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.


(27.05.2010 RV)Lajmin e dha sot komisionerja e Çështjeve të Brendshme të KE. Sesilja Molmstrëm. “Jam shumë e lumtur që Komisioni Evropian miratoi rekomandimin për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Tani i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës të marrin vendimin përfundimtar.” tha komisionerja e Çështjeve të Brendshme të KE Sesilja Molmstrëm, në një konferencë për shtyp. Sidoqoftë heqja përfundimtare e vizave mbetet në dorë të politikës shqiptare, e cila duhet të plotësojë tri kushte: 1. zhvillimin e një politike dhe strategjie për riatdhesimin e shqiptarëve; 2. Forcimin e zbatimit të ligjit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; 3. Zbatimin efikas të ligjit të ri kundër mafies për konfiskimin e pasurive të personave të botës së krimit.
Gjatë verës Komisioni Evropian do të dërgojë në Shqipëri një ekip që do të shohë nga afër sesi po plotësohen këto tri kushte. Pastaj, rekomandimi për heqjen e vizave do t’i kalojë për miratim Parlamentit Evropian dhe më pas Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së.







All the contents on this site are copyrighted ©.