2010-05-28 16:54:21

Kinë: ndihma e Atit të Shenjtë për të dëmtuarit nga tërmeti në Ju Shu.


(28.05.2010 RV)Ndihma e Benediktit XVI, që arriti në Kinë përmes Këshillit Papnor Cor Unum, tashmë është në duart e të dëmtuarve nga tërmeti i 14 prillit të kaluar, në rajonin autonom tibetian të Ju Shu, provincë e Qing Hai. Sipas njoftimit, dhënë Agjensisë Fides nga drejtuesit e Jinde Charities “dhurata prej 25 mijë dollarësh e Papës, i cili bëri menjëherë edhe thirrje për solidaritet në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti në Ju Shu, pak orë pas tragjedisë, po përdoret për të blerë batanije, çadra, qumësht pluhur për fëmijët, zarzavate dhe ushqime të tjera të domosdoshme, sipas vetë dëshirës së Atit të Shenjtë”. Jinde Charities, ent bamirës katolik kinez, e nisi menjëherë veprimtarinë e tij në vendin e tragjedisë, në bashkëpunim me Karitasin ndërkombëtar, me atë gjerman e australian, si dhe me grupet bamirëse katolike kontinentale, si Catholic Social Service Center e dioqezës së Xi An. Në sajë të solidaritetit të bashkësisë katolike ndërkombëtare dhe të dhuratës së Atit të Shenjtë, katolikët munden t’u ofrojnë një sasi të madhe ndihmash të dëmtuarve nga tërmeti, që nga emergjenca e parë e deri më sot. Jinde Charities njofton se janë shpërndarë me qindra mjete për higjienën personale, dhjetra palë këpucë për fëmijët e shkollës fillore të Ju Shu (ku gjetën vdekjen 5 vetë: fëmijë e mësues, u shkatërruan nëntë klasa, u plagosën 53 nxënës); 10 tonelata zarzavate për 2 mijë familje; 300 çadra; 590 shtretër të palosshëm; 465 dyshekë; 31 bombola me gaz; 100 kilogram miell; 2 mijë kilogram oriz; 150 kilogram makarona, 400 litra vaj e shumë e shumë ndihma të tjera, që përmbushin kërkesat të dorës së parë për individët e familjet, si gjeneratorët elektrikë, për shembull. Të gjitha këto materiale iu dorëzuan nevojtarëve, në sajë të punës së pandërprerë të vullnetarëve katolikë. Rregulltaret e meshtarët vijojnë ende sot, një muaj pas tërmetit, misionin e tyre solidar në shërbim të të dëmtuarve, duke ndjekur porositë e Papës. Tri rregulltare shkojnë çdo ditë t’u japin ndihmesën e tyre psikologjike 31 fëmijëve tibetianë, mbetur jetimë, duke kryer edhe shumë shërbime të tjera, që shkëlqejnë si dëshmi e fesë, e dashurisë së krishterë, e bamirësisë dhe e shpresës për të dëmtuarit nga tërmeti.







All the contents on this site are copyrighted ©.