2010-05-28 16:46:46

E ardhmja bazohet në takimin ndërmjet popujve e në respektimin e të drejtave e të detyrave: kështu Papa para veprimtarëve të baritorisë për emigrantët


(28.05.2010 RV)E ardhmja e shoqërive tona varet nga takimi ndërmjet popujve: prandaj, shtetet janë të thirrura ta marrin sëbashku përsipër përgjegjësinë për administrimin e fenomenit të emigracionit në rritje, duke njohur dinjitetin e çdo njeriu, në respektimin e të drejtave dhe të detyrave të të huajve. Kështu foli sot Papa në audiencën me pjesëmarrësit e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Endacakëve, që po zhvillohet në Vatikan mbi temën e bashkëpërgjegjësisë së shteteve dhe të organizmave ndërkombëtare.RealAudioMP3
Papa shprehu vlerësimin e tij për ato konventa ndërkombëtare, që rregullojnë qarkullimin e personave, duke synuar garantimin e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut dhe luftën kundër diskriminimit, ksenofobisë e intolerancës:
“Është për t’u vlerësuar përpjekja e ndërtimit të një sistemi normash, ku të përfshihen të drejtat dhe detyrat e të huajve, ashtu si edhe ato të bashkësive mikpritëse, duke pasur parasysh, në radhë të parë, dinjitetin e çdo personi, krijuar nga Zoti në ngjashmëri e shembëlltyrë me Të. Natyrisht, mbrojtja e të drejtave shkon paralelisht me respektimin e detyrave”.
Papa vuri në dukje se nga administrimi i mirë i hyrjes dhe i largimit të të huajve në vendet pritëse të emigracionit, nga mundësia për të shfrytëzuar pasuritë e natyrës, të kulturës e të artit, të shkencës e të teknikës si vendasit, varet në një shkallë të madhe, paqja shoqërore dhe ajo botërore. Shpesh, denoncoi Benedikti XVI, shtetet dhe organizmat ndërkombëtare nuk marrin përsipër përgjegjësinë që u takon. Por, nga ana tjetër, ka shumë njerëz që punojnë e luftojnë për të shembur muret, që i ndajnë popujt ndërmjet tyre:
“Vërtet, perspektivat e bashkëjetesës ndërmjet popujve mund të arrihen përmes politikave largpamëse dhe të bashkërenduara për pritjen dhe integrimin, duke lejuar hyrje të ligjshme, duke favorizuar të drejtën për bashkimin familjar dhe për strehimin politik, duke kompensuar masat e nevojshme kufizuese e duke luftuar trafikun e dënueshëm të personave”.
Nuk është e lehtë, por duhet punuar për pajtimin e të drejtave të njeriut dhe parimit të sovranitetit kombëtar me kërkesat e sigurisë, të rendit publik e të kontrollit të kufijve, theksoi Ati i Shenjtë në audiencë me veprimtarët e baritorisë së emigrantëve në Sallën Klementina, në Vatikan. Papa u bëri thirrje edhe një herë shteteve të promovojnë politika në favor të familjes e të jetës:
“E ardhmja e shoqërive tona bazohet në takimin ndërmjet popujve, në dialogun ndërmjet kulturave, në respektimin e identitetit dhe të ndryshimeve të ligjshme. Në këtë skenar, familja ka rol themelor. Prandaj, Kisha, me shpalljen e Ungjillit të Krishtit në çdo sektor të jetës, impenjohet jo vetëm në favor të emigrantit si individ, por edhe në favor të familjes së tij, vend e pasuri e kulturës së jetës dhe faktor i integrimit të vlerave”.
Benedikti XVI i ftoi veprimtarët e pranishëm në audiencë të frymëzohen nga i Lumi Gjon Baptist Skalabrini, i cili është quajtur “Ati i emigrantëve” nga Papa Gjon Pali II. Më 1 qershor do të përkujtojmë 105 vjetorin e kalimit të tij në qiell.







All the contents on this site are copyrighted ©.