Çelësi i fjalëve të Kishës: Trinia Shenjte në Besëlidhjen e Re!
(27.05.2010 RV)Të dashur dëgjues, të dielën që vjen Kisha Katolike kremton
festën e Trinisë Shenjte. Sot do të trajtojmë fjalën “Trini” sipas Besëlidhjes
së Re. Të gjithë e dimë se Trinia Shenjte përbëhet nga tri Vetje, Ati, Biri dhe
Shpirti Shenjt, por ku e ka origjinën termi e ç’kuptim ka për të krishterët?
Fjala
“Trini” nuk ndodhet në Besëlidhjen e Re e nuk është e mundur të gjejmë në faqet e
saj, atë teologji trinitare të ndërlikuar e të thelluar, që u zhvillua sidomos në
shekujt IV-V e më vonë. Por, ajo e ka rrënjën pikërisht në shkrimet e Beslidhjes së
Re, ku përvijohen marrëdhëniet, që lidhin ndërmjet tyre Atin, Birin e Shpirtin Shenjt.
Në planin gjuhësor, kujtojmë se Zoti Atë shpesh thirret “ho Théos”, pra Hyj
i mirëfilltë, Jezu Krishti quhet Biri i Hyjit, ose edhe “Kyrios”, “Zot”, ndërsa
Shpirti Shenjt përcaktohet edhe si “Paràclito”, ose “mbrojtësi/ngushëlluesi”. Trinia
Shenjte është në bazën e pagëzimit të krishterë, në frazën që thotë Krishti gjatë
dukjes së Tij të fundit pas ringjalljes, përshkruar në Ungjillin sipas Mateut. Jezusi
u thotë dishepujve të “pagëzojnë në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”
(28,19). Duket qartë se në këto fjalë pasqyrohet një besim më i lashtë në Trininë
Shenjte nga ana e Kishës. Shën Pali Apostull përvijon një teologji të vetën mbi Trininë
Shenjte, kur, për shembull, thotë se dhuratat e ndikuara mbi bashkësitë e krishtera
janë si të Shpirtit, si të Krishtit, ashtu edhe të Atit, kuptuar si tri Vetje në një,
pavarësisht nga ndryshimet: “Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është
i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është
i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë –
Ai bën gjithçka në të gjithë” (1 Kor 12,4-6). Bashkimi ndërmjet besimtarëve,
pavarësisht nga shumëllojshmëria e tyre, modelohet dhe e ka bazën në unitetin trinitar:
“Një Trup i vetëm, një Shpirt i vetëm, një shpresë e vetme…Një Zot, një fe, një
pagëzim, një Hyj i vetëm, Ati i të gjithëve” e më parë Shën Pali i referohet “njësisë
së Shpirtit” (Ef 4,3-6). Edhe sot e kësaj dite, në fillim të kremtimit eukaristik,
shkëmbejmë përshëndetjen me të cilën Shën Pali mbyll Letrën e tij të dytë drejtuar
Korintianëve: “Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit dhe bashkësia
me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë” (13,13). Të shumta janë pjesët ku flitet
për “Shpirtin e shenjtërimit”, për “Jezu Krishtin Zotin tonë” dhe për
“Hyjin, Ati ynë” (Rom 1,4-7; shih edhe 15,16-17; 15,30; 1 Kor 2,10-16; Gal
4,6; Ef 1,3-14; 2,18-22; Tim3,4-6 e kështu me radhë). Edhe Shën Pjetri e hap Letrën
e tij të parë me fjalë, që i referohen Trinisë Shenjte, kur shkruan: “në saje të
Provanisë së Hyjit Atë me shenjtërimin e Shpirtit Shenjt, për të dëgjuar Jezu Krishtin…”
(1,2). Pastaj, Shën Gjoni Apostull, në Letrën e tij të parë, na jep një tekst, që
është i bërë i famshëm në traditën e krishterë. Në atë pjesë flitet për “Jezusin,
Biri i Zotit” dhe për Shpirtin Shenjt që e dëshmon; pastaj lexohet: “Tre janë
ata që dëshmojnë: Shpirti Shenjt, uji dhe gjaku. Këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme”
(5,7-8). Përkthimi i lashtë latin i shën Jeronimit, përdorur me shekuj në liturgji,
na ofronte një tekst të ndryshëm, me karakter të qartë trinitar, që njihet si “paragrafi
jeronimian”. Megjithëse nuk i përgjigjet origjinalit, shpreh qartë fenë e Kishës në
shekujt e parë. Nga Shkrimet e Shenjta, ajo pati nxjerrë dhe riformuluar teologjinë
e saj trinitare: “Tre janë ata që dëshmojnë në qiell – thotë shën Jeronimi në përkthimin
që i ka bërë Shën Gjonit – Ati, Fjala e Shpirti Shenjt e këta të tre janë një. E tre
janë ata që dëshmojnë në tokë: Shpirti, uji dhe gjaku e këta të tre bëjnë një dëshmi
të vetme”. Mbetet gjithnjë mister se pse Zoti është një dhe tre njëkohësisht.
Tregohet se një ditë, Shën Agustini, dijetar i madh i Kishës, ishte shumë i mërzitur,
sepse nuk arrinte ta kuptonte misterin e Trinisë Shenjte. Ndërsa mendonte këto gjëra
dhe ecte buzë detit, sheh një fëmijë, që bënte diçka shumë të çuditshme: kishte hapur
një vrimë në rërë dhe me një lugë, shonte në det, e mbushte me ujë dhe e derdhte në
vrimë. E kështu, vazhdimisht. Shenjti i afrohet e me delikatesë e pyet: “Ç’po ben?”
E djali: “Dua të derdh gjithë ujin e detit në këtë vrimë”. Pasi dëgjoi këtë,
shën Agustini i tha: “E admiroj dëshirën për ta mbledhur në një vend krejt detin.
Por si mund t’ia arrish kësaj? Deti është pa fund, ndërsa vrima është e vogël. E pastaj,
me këtë lugë…nuk mjafton gjithë jeta”. E djali, që ishte një engjëll i dërguar
nga Zoti, iu përgjigj: “Po ti si mund të pretendosh ta mbash në atë kokën tënde
të vogël misterin e pafundmë të Zotit?”. Shën Agustini e kuptoi se Zoti është
mister i madh. E kuptoi edhe se Ati, Biri e Shpirti Shenjt ishin kaq shumë të mbushur
me dashuri, sa të donin pa dyshim të qëndronin bashkë.