2010-05-27 15:57:09

Papa Kishës në Itali: mos u shkurajoni, detyra juaj është edukimi. Kriza ekonomike nuk mund të kapërcehet, duke injoruar krizën shpirtërore


(27.05.2010 RV)Papa Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë ipeshkvijtë italianë, të mbledhur në Vatikan për Asamblenë e përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore të Italisë. “Pavarësisht se jeni të vetëdijshëm për peshën e vështirësive – u tha atyre Papa – nuk duhet të shkurajoheni para detyrës për të edukuar”, ashtu siç shprehet vetë Kisha italiane në Orientimet baritore për dhjetë vjetët e ardhshëm.
“Edukimi nuk ka qenë kurrë i lehtë – vazhdoi Ati i Shenjtë – por nuk duhet të tërhiqemi: nuk do të respektonim mandatin që na ka besuar vetë Zoti, duke na thirrur të kullosim me dashuri grigjën e tij”.
Sipas Papës Racinger, duhet zgjuar pasioni për edukimin në të gjitha bashkësitë e krishtera, edukim, që nuk është thjesht mësim didaktik, apo një grusht me teknika e as përçim i parimeve të thata.
“Të edukosh – theksoi Benedikti XVI – do të thotë të formosh brezat e rinj, që të dinë të hyjnë në marrëdhënie me botën, të vetëdijshëm për kujtesën e kombit, për pasurinë e brendshme të përbashkët, për dijen e vërtetë, e cila, ndërsa pranon fundin trashendent të jetës, orienton mendimin, dashurinë, gjykimin. Etja që kanë të rinjtë në zemër është kërkesë për të kuptuar e për të pasur marrëdhënie njerëzore të vërteta, që t’i ndihmojnë të mos ndihen vetëm para sfidave të jetës”.
Para këtyre fjalëve, Papa nuk mungoi t’u referohej mëkateve të kryera nga disa anëtarë të Kishës, por edhe të njohë dëshminë e shenjtërisë të atyre meshtarëve, që, sipas shembullit të Famullitarit të Arsit, i kushtojnë jetën edukimit në shpresë, fe e dashuri:
“Në këtë dritë, ajo që është motiv shkandulli, duhet të kthehet për ne në thirrje për nevojën e thellë, që të rimësojmë ç’do të thotë pendesë, të pranojmë pastrimin, të mësojmë si të falim nga njëra anë, por edhe të kuptojmë kërkesat e drejtësisë, nga ana tjetër”.
Nga ana e ipeshkvijve italianë, e përshëndeti Papën, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, imzot Anxhelo Banjasko.







All the contents on this site are copyrighted ©.