Qeliza sintetike: arritje shkencore, apo rrezik etik?
(26.05.2010 RV)Vazhdon të zgjojë pyetje e debate në botën shkencore, kulturore
dhe fetare, lajmi i formimit në laborator të qelizës së parë, të aftë të ndahet e
të shumëfishohet si çdo qelizë tjetër e gjallë. I morëm një mendim për këtë, kryetarit
të Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë, imzot Zigmunt Zimovski: “Duke iu përmbajtur
sa është bërë publike deri tani për të ashtuquajturën ‘qelizë sintetike’, duket se
kemi të bëjmë me një rezultat të rëndësishëm shkencor. Këtë duhet ta pranojmë! Ndërsa,
nuk është e drejtë, e përsëris, nuk ka kuptim ta konsiderojmë këtë arritje si një
akt krijues, apo si krijimi i jetës. Absolutisht jo: vetëm Zoti krijon, njeriu prodhon.
Ky është një produkt njerëzor, jo krijim. Është biologji sintetike. Sipas meje, formimi
i kësaj qelize shtron dy çështje themelore: të ashtuquajturin ‘rrezik i paparashikuar’,
që lidhet me njohuritë e reja, akoma të paeksperimentuara në këtë fushë, dhe pazgjidhshmërinë
e binomit shkencë-etikë. Ky i fundit duhet respektuar gjithnjë, prandaj është e nevojshme
të kontrollohet puna e mëtejshme me qelizën sintetike, duke vlerësuar hap pas hapi
ndikimin etik, ligjor e shoqëror, që do të ketë”.