2010-05-26 19:04:40

Nesër në Spanjë do të hapet Kongresi X Eukaristik


(26.05.2010 RV)Nesër mbrëma, në Toledo, do të hapet Kongresi X Eukaristik i Spanjës. Kremtimet do të nisin në orën 21.00 me procesionin dhe ritin, që njihet me emrin ‘lucernario”. Është fjala për ritin e hyrjes në Kishën e zhytur në errësirë, për t’i ndezur pastaj, të gjitha dritat përnjëheresh. Dikur Kisha ndriçohej me qirinj, që ndezeshin nga flaka e një qiriu të vetëm, atij që do të vendosej mbi elter, prandaj liturgjia zgjaste shumë. Ndërsa tani të gjitha dritat ndizen me çelës elektrik, për t’i hapur shpejt rrugën kremtimit. Riti i dritës do të nisë nga Seminari, për të vijuar deri në katedralen primaciale, siç quhet Kisha e drejtuar nga një primat, ku do të përsëriten premtimet meshtarake. Po cili është qëllimi kryesor i Kongresit? Përgjigjet, në mikrofonin tonë, kryeipeshkvi i Toledos, imzot Braulio Rodríguez Plaza:

Përgjigje: - Todo gira entorno a la Eucaristía…
Gjithçka sillet rreth Eukaristisë. Qëllimi është të kuptohet se Jezu Krishti është i gjallë e vijon të jetë mes nesh në realizimin e misterit të Pashkëve të tij, në kremtimin e Eukaristisë. E me që Mesha ka një kuptim kaq të madh, sa të mos mund t’i përfshijë të gjitha frytet e të gjithë pasurinë, zgjatet në adhurimin eukaristik. Ka rëndësi të veçantë theksimi i lidhjes së Eukaristisë me ne, meshtarët, që veprojmë në vetjen e Krishtit, ndonëse padenjësisht. Nuk mund të ketë Eukaristi, pa meshtari. Është mister. Ky Kongres ka rëndësi edhe sepse, ndonëse ka të bëjë me gjithë të krishterët, u drejtohet posaçërisht të rinjve, në atmosferën e përgatitjes për Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet vitin e ardhshëm, në Madrid: e duam t’u themi të rinjve, siç pohon edhe tema e Kongresit, se gëzimi më i madh është pikërisht të takosh Jezusin në Eukaristi. Të premten e ardhshme do të arrijë këtu Kryqi i Ditës Botërore të Rinisë dhe ikona e Zojës së Bekuar. Kongresi do të përfundojë të dielën, më 30 maj, me Meshën solemne, kryesuar në katedralen e Toledos nga kardinali Anxhelo Sodano, përfaqësues i Papës. Do të jenë të pranishëm pothuajse të gjithë ipeshkvijtë spanjollë. Duam t’i dëshmojmë botës ç’kuptim ka feja, duke forcuar lidhjet e bashkimit ndërmjet ipeshkvijve e Kishave. Besoj se do të jetë çast gëzimi e ditë e vërtetë feste.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.