2010-05-26 18:59:56

Benedikti XVI në audiencën e përgjitshme: meshtarët nuk duhet t’i shërbejnë vetvetes, por Zotit, larg shpërdorimeve e karrierizmit!


(26.05.2010 RV)“Autoriteti që ushtron Kisha, është shërbim dashurie, në emër të Jezu Krishtit”: këtë pohoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në praninë e një turme të madhe shtegtarësh. Gjatë katekizmit, Ati i Shenjtë u ndalua tek detyrat e meshtarëve, duke reflektuar posaçërisht për konceptin e autoritetit në Kishë e duke ripohuar se nuk ekziston asnjë lloj kundërshtie ndërmjet përmasës baritore e hierarkisë.RealAudioMP3

“Ç’kuptim ka fjala autoritet për ne të krishterët?”: kjo pyetje ishte në bazë të reflektimit të sotëm të Benediktit XVI mbi mandatin e Zotit për të kullotur grigjën e tij. Papa u ndal tek përvoja, ende e freskët, e diktaturave, të cilat edukuan një njeri, që e shikon me sy të dyshimtë konceptin e autoritetit. E ky dyshim e shtyn shpesh herë të mos respektojë asnjë lloj autoriteti:
“Por pikërisht koha e regjimeve që, në shekullin e kaluar, mbollën terror e vdekje, të kujton me forcë se autoriteti, në çdo fushë të jetës, kur ushtrohet i shkëputur nga Trashendenti, duke lënë mënjanë edhe Autoritetin më të lartë, që është vetë Zoti, kthehet, në mënyrë të pashmangshme, kundër njeriut”.
Ky reflektim e nxiti Papën të shprehte, jashtë tekstit zyrtar, mendimin e tij për lidhjen e hierarkisë me përmasën baritore të Kishës. Në opinionin publik – nënvizoi - është krijuar ideja se ekziston një kontrast i madh ndërmjet hjerakisë e gjallërisë dhe përvujtërisë së Ungjillit:
Po ky është një keqkuptim i domethënies së hierakisë, i shkaktuar historikisht edhe nga shpërdorimet e autoritetit si dhe nga karrierizmi”.
Kemi të bëjmë pra – vijoi të shpjegonte Papa – me një interpretim të gabuar të fjalës hieraki, që do të thotë “zanafillë e shenjtë”, e që na kujton se autoriteti vjen nga një Tjetër. Hierarkia – theksoi Papa – kërkon që njeriu t’i nënshtrohet plotësisht Misterit të Krishtit. Bariu mund të qeverisë vetëm si shërbëtor i Jezusit:
Kush hyn në urdhërin e shenjtë të sakramentit, në hierarki, nuk është autokrat, por hyn në një lidhjje të re të bindjes ndaj Krishtit. E edhe Papa, pikë referimi për të gjithë barinjtë e tjerë e për bashkimin e Kishës, nuk mund të bëjë sipas qejfit; përkundrazi, Papa është rojtar i bindjes, i nënshtrimit ndaj Krishtit, ndaj fjalës së Tij e duhet t’u prijë të gjithëve, duke iu bindur i pari Krishtit e Kishës së Tij”.
Kisha – shtoi Papa – ushtron një autoritet të tillë, që mund të quhet edhe shërbim: jo në emër të vetvetes, por në emër të Krishtit. Kisha nuk kullot delet e veta, por grigjën e Zotit. E këtë e bën me anën e barinjve të saj, nëpërmjet të cilëve njerëzit i do vetë Krishti. Një detyrë e tillë, e bazuar mbi sakramentin – vërejti Ati i Shenjtë – nuk mund të ndahet nga ekzistenca personale e meshtarit:
Për të qenë Bari sipas zemrës së Zotit (cfr Jer 3,15), duhet një rrënjosje e thellë në miqësinë e gjallë me Krishtin. Bariu duhet të bëhet një gjë e vetmeme Zotin, duke i kushtuar atij jo vetëm mendjen, por edhe lirinë e vullnetin, për të fituar, kështu, vetëdijen e qartë të identitetit të marrë në Shugurimin Meshtarak, domethënë gatishmërinë e pakushtëzuar për ta kullotur grigjën, që i është besuar, atje ku dëshiron Zoti e jo në drejtimin, që mund të duket më i leverdishëm ose më i lehtë”.
Duhet lënë vetë Krishti ta qeverisë jetën meshtarake të barinjve – shtoi Papa. E mënyra e qeverisjes së Jezusit - vijoi Benedikti XVI - nuk është ajo e sundimit, por e shërbimit të përvujtë e plot dashuri, të cilën e shohim konkretisht në skenën ungjillore të “Larjes së këmbëve”. Më pas Papa ripohoi me forcë: - Askush nuk është i aftë ta kullosë grigjën, në se nuk e jeton bindjen e thellë e reale ndaj Krishtit e Kishës së tij. Prandaj, në bazë të shërbimit baritor, është gjithnjë takimi vetjak e i përhershëm me Zotin. Benedikti XVI i nxiti meshtarët mos kenë frikë, por t’u prijnë me guxim drejt Krishtit, vëllezërve, që u janë besuar:
“Nuk ka të mirë më të madhe, në këtë jetë tokësore, sesa t’u prish njerëzve drejt Zotit, t’u ngjallësh në shpirt fenë, ta zgjosh njeriun nga gjumi, ta shpëtosh nga dëshpërimi, t’i japësh shpresë, ta bindësh se Zoti është pranë e i prin historisë së njeriut e të botës: e ky, në fund të fundit, është edhe kuptimi më i thellë i detyrës për të qeverisur, që na e beson Zoti”.
Papa i ftoi meshtarët të marrin pjesë në kremtimet përfundimtare të Vitit, që u është kushtuar, të cilat do të organizohen nga 9 deri më 11 qershorin e ardhshëm. Së fundi, u kërkoi besimtarëve të luten për të, për ipeshkvijtë e për meshatarët:
Lutuni t’i ruajmë si duhet të gjitha delet e grigjës, që na e besoi Zoti, edhe delet e të humbura”.
Në përfundim të audiencës, sipas traditës, Benedikti XVI përshëndeti shtegtarët në shumë gjuhë të botës, duke kujtuar, në mënyrë të posaçme, besimtarët e ardhur nga Shën Giovanni Rotondo, ku ishte vitin e kaluar, për të nderuar reliket e Shën Piut të Pietrelçinës. Në fund kujtoi figurën e Shën Filip Nerit, në festën e tij liturgjike, të kremtuar sot nga Kisha.







All the contents on this site are copyrighted ©.