2010-05-24 10:00:36

Sot më 24 maj Kisha kremton festën e Zojës Ndihmëtare


(24.5.2010 RV)Kjo e kremte nisi të përkujtohet që në kohën e Papës Piu V, në shenjë mirënjohjeje për fitoren e madhe të flotës së koalicionit të botës së krishterë kundër flotës turke më 7 tetor 1571. Ndërsa flota turke shpartallohej, duke u mënjanuar kështu rreziku i tmerrshëm i shtrirjes së pushtimit otoman mbi vise të tjera të krishtera, Papa pa në vegim se fitorja ishte siguruar me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar. Prandaj urdhëroi që ndër litani të shenjta të shtohej edhe thirrja :“Mari, ndihma e të krishterëve, lutu për ne!”. Prej këndej, edhe titulli “Zoja ndihmëtare”.
Një fitore tjetër e madhe, ajo e Vjenës, në vitin 1683, bëri që devocioni i Zojës nën këtë titull, të përhapej në Austri, në Gjermani e në Itali. Piu VII e caktoi festën e Zojës Ndihmëtare më datën 24 maj.
Për nder të Zojës Ndihmëtare, krishterimi ndërtoi tempuj madhështorë në vise të ndryshme, ndërmjet të cilëve dallohen katedralja e Spoletos edhe e Torinos në Itali, pa harruar se edhe Katedralja e Prizrenit në Kosovë i kushtohet pikërisht Zojës Ndihmëtare. E sot Prizreni është në festë!
Shenjti që pati më shumë devocion ndaj Zojës Ndihmëtare , qe Shën Gjon Bosko, themeluesi i Salezianëve, i cili u bë apostull i Saj, së bashku me bijtë e bijat e veta, salezianët e salezianet, që për këtë arsye quhen Bijtë e Zojës Ndihmëtare.
Po të mos harrojmë se të tërë muajin maj, Kisha ai kushton nderimit e lutjes së Zojës së Bekuar. Në këtë muaj në mënyrë të posaçme lutet rruzarja në ndër e lavd të Zonjës Bekuar dhe litanitë. Po ashtu në shumë Kisha e shenjtërore çdo ditë kremtohet Mesha Shenjte për t’u mundësuar besimtarëve të përforcohen shpirtërisht në Zotin.







All the contents on this site are copyrighted ©.