2010-05-24 16:43:55

Papa: katolikët e mbarë botës luten për Kishën në Kinë, duke i lypur Zotit dhuratën e bashkimit e të durimit për besimtarët kinezë.


(24.05.2010 RV)Tri vjet më parë, duke nënshkruar Letrën drejtuar katolikëve kinezë, Benedikti XVI caktonte 24 majin e çdo viti, si Ditë lutjeje për Kishën në Kinë, në kujtimin liturgjik të Zojës-Ndihma e të krishterëve. Edhe dje, në përfundim të uratës drejtuar Mbretëreshës Qiellore, Papa kujtoi përsëri lutjen për besimtarët kinezë. I ftoi katolikët nga të katër anët e botës të bashkohen në këtë lutje e t’i lypin Zotit që bashkimi i kinezëve me njëri-tjetrin e me Kishën universale, të thellohet gjithnjë më shumë.

Që prej 150 vjetësh, nga tempulli i ndërtuar me tulla të kuqe, në të cilin shkrihen elementet arkitektonike perëndimore me ato vendase, Zoja e Sheshanit vigjëlon mbi Shangain dhe mbi fatet e Kishës në Kinë. Asaj Benedikti XVI ia besoi, tri vjet më parë, përmes Letrës drejtuar vëllezërve në vendin aziatik, një ndjet, që zë vendin e parë në zemrën e Bariut universal: bashkimin! Ky ndjet u kujtua sërisht dje, në lutjen e Mbretërshës Qiellore të solemnitetit të Rrëshajve.
Rrugë e ndërlikuar, kjo e bashkimit të Kishës në Kinë, sepse - vëren Benedikti XVI -tejet të ndërlikuara, rrethanat e këtij bashkimi, në të cilat katolikët kinezë e kanë shprehur shpesh me guxim, besnikërinë e tyre ndaj Ungjillit. E pikërisht në këtë skenë, të ngarkuar me kontraste, duhet të arrihet uniteti, domethënë, të forcohet ai fill shpirtëror, i padukshëm, por tejet i fuqishëm, që lidh një ipeshkëv me tjetrin e, të gjithë së bashku, me Papën, në një bashkim të dukshëm e konkret. Atë Anxhelo Laxaroto, i Institutit të Misioneve të Jashtme (Pime), reflekton kështu në mikrofonin tonë, për rrugën që është bërë drejt cakut të dëshiruar:RealAudioMP3
Ecet ngadalë e me vështirësi. Papa nuk e fsheh këtë. Problemi qëndron në faktin se kush komandon në Kinë, ka një vizion të shtrembër ose të kufizuar. Nuk i lë vënd, në jetën publike, njeriut që beson, domethënë besimtarëve të feve të ndryshme, e posaçërisht, të krishterëve. E t’i propozosh vlerat e krishtera të njeriut, vlerën e lirisë, të së mirës së përbashkët, në Kinë, është tejet e rëndësishme, e po aq, edhe e vështirë. Papa, në Letrën që u shkroi katolikëve në Kinë, kujtonte se duhet lypur nga Zoti kryesisht dhurata e durimit për këta vëllezër, që të vijojnë ta dëshmojnë Ungjillin. Sigurisht – vijonte Papa, duke u folur drejtpërdrejt - vuajtjet tuaja nuk do të mbeten pa shpërblim, ndonëse nganjëherë mund të duken si dështim i trishtuar”.
Sivjet Kisha e Kina, përmes kremtimeve që po organizojnë, kanë një pikë të rëndësishme takimi: figurën e atë Mateo Riçit, veprimtaria e të cilit në Kinë flet vetë për rolin që luan Ungjilli në forcimin e bashkimit, të dialogut e të respektit të anasjelltë. Domethënës fakti i mëposhtëm. Pikërisht më 1 majin e kaluar, Universiteti Fudan i Shangait, përuroi Institutin e Dialogut Xu-Riçi, kushtuar jezuitit maçeratez dhe Pal Xu Guangqui, katolikut të parë të Shangait, bashkëpunëtor i ngushtë i atë Riçit. Me këtë rast, 70 pedagogë kinezë e të huaj morën pjesë në një takim kushtuar dialogut ndërfetar; ndërsa në Muzeun e Shangait u paraqit edicioni dixhital i fjalorit kinezo-frëng, titulluar “Grand Ricci”. Gjithsesi, dialogu mbetet rruga e artë, ripohon Atë Laxaroti:
Për ta kremtuar së bashku Ditën e lutjes, këtë vit katolikët kinezë, që jetojnë e punojnë në qytete të ndryshme të Italisë, u mblodhën në Maçerata, një javë më parë, pikërisht për t’u lutur, duke kujtuar këtë themelues të misioint modern në Kinë. Besoj se është e rëndësishme të kujtohet se secili ka përgjegjësinë e vet në lutje. Jezusi u lut që të gjithë dishepujt e tij të jenë të bashkuar, që bota të besojë. Sot Kina ka nevojë pikërisht për këtë dëshmi!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.