2010-05-24 16:44:32

Hapa përpara në bisedimet e Komisionit dypalësh Seli e Shenjtë-Izrael.


(24.05.2010 RV)Hapa të rinj përpara drejt marrëveshjes përfundimtare, në bisedimet e Komisionit të përhershëm dypalësh Seli e Shenjtë-Shtet i Izraelit: njoftimin e dha sot një komunikatë e përbashkët, botuar në Buletinin e Sallës së Shtypit të Vatikanit. Takimi, i mbajtur më 20 majin e kaluar, u zhvillua në një atmosferë shumë të përzemërt dhe delegacionet besojnë se dhanë një ndihmesë të ndjeshme për ta çuar përpara dialogun drejt arritjes së përfundimit të dëshiruar. Në qendër të bisedimeve, neni 10 i paragrafit 2 të Marrëveshjes themelore, për arritjen e mirëkuptimit mbi të gjitha çështjet e pronave e të taksave, në mënyrë që Kisha të ketë atë siguri juridike e fiskale, që i krijon kushtet për ta zhvilluar qetësisht apostullimin e saj.
Sipas Marrëveshjes së vitit 1993, të dyja palët qenë impenjuar të arrinin, lidhur me argumentet e taksave e të pronave, një mirëkuptim dypalësh. Kapitujt tashmë njihen nga të gjithë: mbrojtja e pasurisë kishtare, posaçërisht e Viseve të Shenjta; garancia e mbrojtjes gjyqësore në rast kundërshtimesh; regjim fiskal për Kishën, që ia njeh e ia ripohon të drejtat ekzistuese në çastin e krijimit të Shtetit të Izraelit; sigurime shoqërore për klerin e rregulltarët.
Kur Selia e Shenjtë lidhi marrëdhënie diplomatike me Izraelin, në vitin 1993, si shprehje e vullnetit të mirë, Gjon Pali II zgjodhi rrugën e propozimit të një ‘Marrëveshjeje themelore’, për t’i diskutuar më vonë hollësisht të gjitha problemet që shtroheshin për zgjidhje. Delegacionet do të takohen sërisht më 14 qershorin e ardhshëm e, një ditë më pas, do të mbahet sesioni plenar në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.