2010-05-24 10:12:34

Besimtarët e mbarë botës bashkohen sot me Papën në Ditën e Lutjes për Kishën në Kinë.


(24.5.2010 RV)Bashkim, dashuri, shpresë: këto janë tri shtyllat e Ditës së sotme, kushtuar lutjes për Kinën, dëshiruar fuqimisht nga Benedikti XVI, si gjest dashurie për katolikët kinezë. Në uratën drejtuar Zojës së Sheshanit në vitin 2008, Papa Benedikti XVI i lutej Nënës së Kishës e Mbretëreshës së Kinës, t’i ndihmojë të gjithë ata që, në mundimin e përditshëm, vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan.
Papa iu drejtua shtegtarëve në Romë e në mbarë botën, me rastin e Ditës botërore të lutjes për Kishën në Kinë, që kremtohet sot, në ditën e kujtimit liturgjik të Zojës Ndihmëtare. Shtegtarëve kinezë Papa me atë rast iu pat drejtuar me këto fjalë:
“Së bashku me ju, i lutem Marisë, Ndihma e të krishterëve, Zojës sonë të Sheshanit, t’i ndihmojë të gjithë ata që në Kinë, në mundimin e përditshëm, vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan, të mos të kenë kurrë më frikë t’i flasin botës për Jezusin e Jezusit për botën, duke mbetur gjithnjë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie e të bashkuar me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha”.

Lutja e Benediktit XVI Zojës së Sheshanit

O Virgjër e Shenjtnueshme, Nënë e Fjalës së Mishëruar e Nëna jonë,
e nderuar me titullin “Ndihma e të krishterëve” në Shenjtëroren e Sheshanit,
nga e cila i drejton sytë, plot dashuri, mbarë Kisha që është në Kinë,
po vijmë sot para teje për të kërkuar mbrojtjen tënde.
Silli sytë nga populli i Hyjit e priji me dashuri amtare
në rrugët e së vërtetës e të dashurisë, që të jetë në çdo rrethanë
tharm i bashkëjetesës plot harmoni ndërmjet gjithë nënshtetasve.
Me atë ‘po’ plot bindje që shqiptove në Nazaret, ti i lejove
Birit të amshuar të Hyjit të mishërohej në kraharorin tënd virgjëror
e të hynte kështu në historinë e Shëlbimit,
në të cilën bashkëpunove me përkushtim durimtar,
duke pranuar që shpata e dhimbjes ta shporonte shpirtin,
deri në orën e fundme të kryqit, kur ndenje mbi Kalvar
drejt në këmbë, pranë Birit tënd, i cili vdiste, që njeriu të jetonte.
Që atëherë ti u bëre, në një mënyrë krejt të re, Nënë
e të gjithë atyre, që e mirëpresin në fe Birin tënd, Jezusin,
që pranojnë ta ndjekin pas, duke marrë kryqin e tij mbi shpatulla.
O Nënë e shpresës, që në errësirën e së Shtunës së Madhe u nise
me besim të patundur drejt agimit të Pashkëve,
jepu bijve të tu aftësinë për të dalluar në çdo situatë,
sado e errët që të jetë, shenjat e pranisë së dhembshur të Hyjit.
O Zoja jonë Ndihmëtare, ndihmoi të gjithë ata që në Kinë,
në mundimin e përditshëm, vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan,
të mos të kenë kurrë më frikë t’i flasin botës për Jezusin e Jezusit për botën.
Në shtatoren që sundon mbi shenjtërore, ti e ngre lart Birin tënd,
ia paraqet kështu botës me krahë hapur në shenjë dashurie.
Ndihmoi katolikët kinezë të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie,
duke i mbajtur të bashkuar me shkëmbin e Pjetrit, mbi të cilin është ndërtuar Kisha.
Nëna e Kinës dhe e Azisë, lutu për ne, sot e përgjithmonë e jetës. Amen!
25.05.2008 RV







All the contents on this site are copyrighted ©.