2010-05-24 15:21:25

Atë Picabala konfirmohet si Rojtar i Tokës Shenjte: të krishterët të japin dëshmi.


(24.05.2010 RV)Françeskani Pierbatista Picabala u rizgjodh javën e kaluar në detyrën e Rojtarit të Tokës Shenjte e të Malit Sion. Detyra e dhënë nga Urdhëri i Fretërve të Vegjël dhe e miratuar nga Selia e Shenjtë zgjat zakonisht tri vjet. Me telefon nga Toka Shenjte, vetë atë Picabala na tregon si e priti këtë lajm:RealAudioMP3
Së pari me falenderime për vlerësimin: pa modesti të gënjeshtërt, mund të them se kjo është shenjë vlerësimi për punën e bërë, por edhe ftesë për të vazhduar me zell në drejtimet, që na janë dhënë.
Cila është gjendja e Kishës në këtë moment?
Si Kishë, gjendja është gjithnjë me perspektiva të shumta, por edhe me pikëpyetje të mëdha. Kemi mbetur pak në Tokën Shenjte, numri i të krishterëve zvogëlohet, por sfidat janë të shumta. Para së gjithash, puna me bashkësinë e krishterë e edhe me pritjen e shtegtarëve në rritje. Pastaj, dialogu me Kishat e tjera, marrëdhëniet me hebrenjtë e myslimanët… Pra, pavarësisht nga brishtësia jonë, jemi në një udhëkryq shumë të rëndësishëm të jetës së botës, ku na kërkohet një dëshmi e jashtëzakonshme.
Pse zvogëlohet numri i të krishterëve?
Natyrisht, ka arsye me karakter politik dhe ekonomik, të ndërthurura me njëra-tjetrën, pasi paqëndrueshmëria politike sjell vështirësi ekonomike, sidomos për palestinezët. Jo vetëm i krishteri, por sidomos ai, sheh në emigracionin jashtë vendit zgjidhjen e vështirësive të këtushme, para së gjithash, mungesën e perspektivës. Por duhet edhe një punë ndërgjegjësimi për vokacionin e krishterë, pasi të jesh i krishterë në Tokën Shenjte nuk është rastësi: është dhuratë e Zotit, është thirrje.
Të kalojmë në frontin politik. I dërguari i SHBA-ve, Miçëll, filloi fazën e dytë të bisedimeve jo të drejtpërdrejta. Sipas jush, a ka shpresa për procesin e paqes?
Sinqerisht, nuk ka ndonjë entuziazëm të madh përreth kësaj nisme. Është dialog që çalon, sepse nuk ka takime të drejtpërdrejta. Tregon një klimë të fortë dyshimi mes palëve, që nuk le vend për perspektiva të mëdha. Pra, nuk shihet, nuk ndihet kjo dëshirë për të ndryshuar me të vërtetë problemet e këtushme, në Lindjen e Mesme. Shpresoj të gabohem, por nuk besoj se do të kemi ndryshime të mëdha.







All the contents on this site are copyrighted ©.