2010-05-23 19:38:04

Në Mbretëreshën Qiellore, Papa përshëndet Lëvizjen për Jetën, kujton Ditën e lutjes për Kishën në Kinë


(23.05.2010 RV)Pas Meshës në Bazilikën e Vatikanit, Papa kryesoi lutjen e Mbretëreshës Qiellore nga dritarja e studios së tij private. Dhjetra mijëra, besimtarët e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në një ditë të mrekullueshme me diell. Benedikti XVI nënvizoi se Kisha jeton vazhdimisht në bashkim me Shpirtin Shenjt e gjatë historisë së saj, ka përjetuar shumë Rrëshajë, si për shembull, Koncilin II të Vatikanit. Nuk ka Kishë pa Rrëshajë, theksoi Ati i Shenjtë, e nuk ka Rrëshajë pa Virgjërën Mari, siç treguan takimet në udhëtimin e tij të fundit në Fatima, ku një turmë e jashtëzakonshme njerëzish u mblodh në lutje me një zemër e një shpirt të vetëm. Papa u lut edhe për meshtarët, gjatë këtij Viti kushtuar atyre, që të jenë të denjë për t’u shpallur të gjithë njerëzve mesazhin e shëlbimit të Ungjillit.
Pastaj kujtoi se dje, në Benevento të Italisë, u shpall e Lume, Tereza Manganielo, besimtare laike, anëtare e Urdhërit të Tretë françeskan. Mesha u kremtua nga kryeipeshkvi Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Bija e njëmbëdhjetë e një familjeje fshatarësh, që ka jetuar në vitet ‘800, e Lumja e re kaloi një jetë të thjeshtë e të përvuajtur, mes punëve të shtëpisë e impenjimit shpirtëror në kishën e fretërve kapuçinë:
“Ashtu si Shën Françesku i Asizit, ajo përpiqej të imitonte Jezu Krishtin, duke ofruar vuajtje e pendesë për shpërblimin e mëkateve, dhe ishte plot me dashuri për të afërmin: përpiqej për të gjithë, sidomos për të varfërit e të sëmurët. Gjithnjë e buzëqeshur dhe e ëmbël, vetëm në moshën 27 vjeçare u nis për Qiell, aty ku banonte zemra e saj. Falenderojmë Zotin për këtë dëshmitare të ndritshme të Ungjillit”.
Papa kujtoi se nesër, më 24 maj, në kujtimin liturgjik të Zojës Ndihmëtare, kremtohet edhe Dita e lutjes për Kishën në Kinë:
“Ndërsa besimtarët në Kinë luten që bashkimi ndërmjet tyre e me Kishën Universale të thellohet gjithnjë e më shumë, katolikët e mbarë botës – sidomos ata me origjinë kineze – të bashkohen me ta në lutjen e bamirësinë, që Shpirti Shenjt ndikon në zemrat tona veçanërisht në solemnitetin e sotëm”.
Në përfundim, Papa përshëndeti anëtarët e Lëvizjes për Jetën, e cila përpiqet të përhapë kulturën e jetës dhe të ndihmojë konkretisht gratë të çojnë deri në fund shtatzani të vështira:
“Të dashur miq, sëbashku me ju kujtoj fjalët e së Lumes Terezë të Kalkutës: ‘Ai fëmijë i vogël, i lindur ose i palindur akoma, është krijuar për diçka të madhe: të dojë dhe ta duan”.







All the contents on this site are copyrighted ©.