2010-05-23 19:45:00

Editorial i atë Federiko Lombardit: Muzika dhe dialogu


(23.05.2010 RV)Në muzikë realizohet “konfrontimi, dialogu dhe sinergjia ndërmjet Lindjes e Perëndimit, ndërmjet traditës e modernes”: kështu pohoi Papa Benedikti XVI, në përfundim të koncertit në Vatikan, që u ofrua të enjten e kaluar nga Patriku i Moskës e i të gjithë Rusive, Kirill, në kuadrin e Ditëve të përshpirtërisë ruse. Një ngjarje, mbi të cilën ndalet edhe zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, në editorialin e sotëm: RealAudioMP3
“Gjatë ditëve të kaluara ishim dëshmitarë të një hapi domethënës në marrëdhëniet ndërmjet Kishës ortodokse ruse dhe asaj katolike. Koncerti i ofruar nga Patriku Kirill për Atin e Shenjtë, në Sallën Pali VI, i paraprirë nga një mesazh i përzemërt i vetë Patrikut, lexuar nga mitropoliti Hilarion, shkonte përtej një gjesti normal kortezie.
Në fakt, është e qartë se në kontekstin e panoramës kulturore evropiane të sotme, qëndrimet ortodokse dhe katolike mbi problemet e mëdha etike janë të përbashkëta, pasi rrjedhin nga një këndvështrim mbi njeriun, që frymëzohet nga krishterimi. Mitropoliti Hilarion, në fjalën e tij, përmendi qartë për shembull, çështjet që kanë të bëjnë me jetën dhe familjen. Fjala përfundimtare e Papës ishte më e gjerë dhe më impenjative se ato që bën zakonisht pas koncerteve, duke zhvilluar gjerësisht temën e rrënjëve të krishtera të Evropës, të shprehura jo vetëm në jetën fetare, por edhe në pasurinë e paçmuar kulturore e artistike të vendeve, ku feja e krishterë ka favorizuar e nxitur si kurrë krijimtaria dhe gjenia njerëzore. Përballë shekullarizimit, që shtyn drejt mënjanimit të Zotit e të planit të Tij e përfundon me mohimin e vetë dinjitetit njerëzor, duhet propozuar një “humanizëm i ri”, që Evropa të mund të marrë frymë sërish me të dyja mushkëritë, falë dialogut dhe sinergjisë ndërmjet Lindjes e Perëndimit, ndërmjet traditës dhe modernes. Tingëllimi i notave të muzikës madhështore ruse në Vatikan ishte shenjë e qartë e sintonisë së thellë, që është krijuar ndërmjet Kishës ortodokse ruse e asaj katolike mbi këto perspektiva të rëndësishme. Një sinjal vërtet inkurajues për të ardhmen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.