2010-05-21 17:41:42

Prof. Ornagi, Rektor i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit: të rigjejmë aspektet pozitive të politikës, mbi bazën e bindjes.


(21.5.2010 RV)Një nga temat më të rëndësishme të plenares të Këshillit Papnor për Laikët, mbledhur këto ditë në Romë për të shkëmbyer mendime mbi temën: “Dëshmitarë të Krishtit në bashkësinë politike”, ishte binomi politikë – demokraci në përvojën e besimtarit laik. Për një refketim lidhur me këtë binom, të dëgjojmë profesor Lorenco Ornagin, rektor i Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit:

Përgjigje: - Sa arrijnë sot demokracitë ta frenojnë politikën ose politika të krijojë rrezikun të zhdukë vlerat e veta themelore e të mbetet politikë e kufizuar, brenda demokracisë, besoj se është një çështje tejet e rëndësishme, që duhet njohur thellësisht sepse, siç vëren ndonjë studiues, jetojmë jo vetëm në epokën e mosbesimit ndaj politikës, por edhe në atë epokë, të cilën studiuesi e quan ‘kundërpolitikë”. E kjo është tepër, tepër e rrezikshme për demokracinë.

Pyetje: - Lidhur me këtë, në selinë e plenares u pohua edhe se njerëzit janë zvjerdhur nga politika, sëmundje kjo, që i ka prekur edhe laikët katolikë, të cilët gjithnjë më shpesh votojnë për të keqen më të vogël. Si mund të rikthehemi tek politika e mirë?

Përgjigje: - Për të rifituar politikën e mirë, politikën, që nuk i ka humbur ende virtytet e veta, politikën me karakteristikat e veta natyrore, duhet të rigjejmë aspektet pozitive të politikës, mbi bazën e bindjes, që na e kujton Shën Agostini, se politika duhet konsideruar edhe si ilaç për shërimin e mëkatit të rrjedhshëm. Por, duke pasur mirë parasysh edhe se është e domosdoshme, për të rritur kolektivitetin.

Pyetje: - Nganjëherë të votosh për atë, që është më pak e keqe, do të thotë edhe të tradhtosh qëndrimin e palëkundshëm në mbrojtje të disa vlerave, nga të cilat nuk mund e nuk duhet hequr dorë… ?

Përgjigje – Detyra për të formuar, për të edukuar për impenjim politik, në mënyrë të tillë që katolikët të jenë me të vërtetë prani aktive, e rëndësishme, na kërkon të shikojmë përtej së sotmes; kërkon vizion, jo duke të ikur nga problemet e së sotmes, por me vetëdijën se krijimi i vizionit ndihmon për t’i zgjidhur më mirë këto probleme. E, kur flasim për bindje, duhet pasur mirë parasysh se kjo nuk është lojë fjalësh. Bindje do të thotë të largohesh menjëherë nga çdo kurth konformizmi, të korrigjosh idetë aktuale negative e t’u hapësh horizonte ideve të reja, që i japin shtytje forcimit të lidhjes ndërmjet kulturës e politikës. Janë idetë e reja ato, që e coptojnë rrjetin e stereotipeve kulturore e që hapin horizontet e së resë në të gjitha fushat.







All the contents on this site are copyrighted ©.