2010-05-21 18:47:01

Lirimi i të burgosurve politikë, në qendër të takimit të barinjve të Kishës kubane me presidentin Raul Kastro.


(21.05.2010 RV)“Ngjarje tejet pozitive, që përbën një të re vërtetë të rëndësishme për Kubën”: kështu e quajti dje kardinali Xhejm Ortega Alamino, kryeipeshkëv i Havanës, gjatë një konference shtypi, takimin e rëndësishëm të barinjve të Kishës kubane me presidentin Raul Kastro, mbajtur të mërkurën e kaluar. E pranishme, edhe Karidad Diego, kryetare e zyrës për marrëdhëniet fetare pranë Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste kubane. Një takim i tillë zyrtar e solemn, nuk ishte mbajtur prej shumë vitesh. Kardinali Ortega shpjegoi se gjatë bisedës, që zgjati katër orë, u prek kryesisht problemi i të burgosurve politikë, për të cilët Kisha kërkon lirimin e menjëhershëm. Ishte thjeshtë dialog e bisedim, jo aleancë, e aq më pak, kompromis – sqaroi kryeipeshkvi Ortega, duke shpjeguar se është detyrë e Kishës të ndërmjetësojë e të pajtojë, duke pasur mirë parasysh respektimin e lirisë fetare të garantuar nga Kushtetuta e të autonomisë së Kishës nga Shteti. Pra, në këtë rast, Kisha u bë ndërmjetësuese, në një bashkëbisedim tejet të rëndësishëm e në një botë, ku nuk duhet të ketë njerëz, që flaken në qeli, thjeshtë sepse mendojnë ndryshe nga regjimi. Besojmë se një realitet i tillë nuk duhet të jetë shlyer nga kujtesa e shqiptarëve, që vuajtën më se një gjysëm shekulli nën një regjim, i cili bazohej pikërisht mbi zhdukjen fizike e mbi rrafshimin moral të kundërshtarëve. Duke e pasur parasysh këtë paralelizëm, për hollësira, pyetëm kolegun tonë, Luis Badila, specialist për çështjet latino-amerikane, që e shikon këtë ndërmjetësi të Kishës si shumë pozitive:

Përgjigje: - Më duket se kjo është gjëja më e rëndësishme, e dje, kardinali Ortega, në konferencën e tij të shtypit, e nënvizoi disa herë: po njihet roli i Kishës në kontekstin e shoqërisë kubane. Gjë e padëgjuar, kjo, sepse nuk ka ndodhur asnjëherë, deri më sot. Duhet kujtuar se ipeshkvijtë janë takuar shpesh me autoritete të larta të vendit, në pritjet diplomatike, por tepër rrallë, për të mos thënë kurrë, me autoritetet më të larta të shtetit. Fakti që u thirrën nga presidenti, që biseduan për disa orë e që Kishës iu kërkua të ndërmjetësojë në çështjen më kritike, atë të të burgosurve politikë, është njohje zyrtare, përfundimtare - që arrin pas pesëdhjetë vjetësh – e që pohon zyrtarisht njohjen e Kishës, mendimin se kjo Kishë ekziston, vlen, madje është shumë e rëndësishme.

Pyetje: - Pra mund të shpresojmë se bota do të ketë kënaqësinë të shikojë edhe një vend tjetër vërtetë të lirë, pa të burgosur politikë?

Përgjigje: - Lidhur me këtë, kardinali Ortega ishte tejet i saktë. Tha se është vetëm fillim i një bisede: “Hapëm një dialog, e dimë në ç’drejtim duhet punuar. Duhen pritur javët e ardhshme, ose ndoshta ditët e ardhshme - e kujtojmë këtë, sepse njëri nga të burgosurit po bën grevë urie, që ia vë në rrezik jetën – me besimin se Kisha do ta gjejë rrugën për të dalë nga kjo situatë, duke siguruar lirimin e të burgosurve politikë, sot për sot rreth 200-240 vetë, e natyrisht, edhe shpëtimin e jetës së atyre, që janë në grevë urie.

Pyetje: - Dje kardinali Ortega e quajti dialogun – “emri i ri i paqes”. Si mund ta interpretojmë këtë mendim, në realitetin e sotëm kuban?

Përgjigje: - Sipas meje, është themelore, çështje kyçe. Problemi kryesor i shoqërisë kubane, ndërmjet shumë e shumë problemeve të tjera, është se nuk ka komunikim ndërmjet sektorëve të ndryshëm shoqëror, ndërmjet shoqërisë, popullit e autoriteteve. Kardinali mendon – e këtë e ka thënë tri javë më parë – se gjëja kryesore në këtë çast është t’u jepet të gjithëve mundësia për të biseduar, për të folur lirisht, për të shpehur mendimin si e shikojnë të ardhmen e vendit. E edhe për t’u dëgjuar. Pa dialog nuk mund të ketë zgjidhje të problemeve, nuk mund të kapërcehen kontradikat ndërmjet forcave të ndryshme, vendi nuk mund të ketë përparim, as paqe. E nuk duhet arritur deri në atë pikë – siç shprehet kardinali Ortega – sa të gjinden rrugëzgjidhje vetëm atëherë, kur janë fare të kota e nuk i shërbejnë më askujt.







All the contents on this site are copyrighted ©.