2010-05-20 16:35:03

Koncert për Papën në Vatikan, promovuar nga Patriku i Moskës


(20.05.2010 RV)Me rastin e “Ditëve të kulturës dhe të përshpirtërisë ruse në Vatikan”, sot pasdite në orën 18.00, në Sallën Pali VI, u mbajt një koncert për nder të Papës Benedikti XVI, promovuar nga Patriku i Moskës dhe i të gjithë Rusive, Kirill I.
Fillimisht, Ati i Shenjtë u përshëndet nga kreu i Departamentit për Punët e Jashtme në Patriarkatin e Moskës, metropoliti Hilarion Alfjejev. Pastaj, filloi koncerti i Orkestrës Kombëtare Ruse, nën drejtimin e dirigjentit Karlo Ponti. Muzika e propozuar për këtë rast është nga më madhështoret. U ekzekutuan pjesë nga Rahmaninov, Korsakov e Musorski.
Më pas, qe radha e Kapelës së Kornove të Rusisë, themeluar në Shën Pjetërburg më 1751, që ekzekutoi pjesë nga repertori fetar, ndërmjet të cilave po përmendim “Lutjen” e Çajkovskit. Më vonë, përsëri muzikë kishtare, kësaj radhe e Rahmaninovit dhe Musorskit, kënduar nga Kori Sinodal moskovit. Para se ta merrte fjalën Papa Benedikti XVI, u ekzekutua “Kënga e Ngjitjes në qiell”, kompozuar nga vetë metropoliti Hilarion.







All the contents on this site are copyrighted ©.