2010-05-20 16:41:57

Inagurohet në Romë akademia italo-ruse “Sapientia et Scientia”


(20.05.2010 RV)U inagurua sot paradite në Romë Akademia italo-ruse “Sapientia et Scientia”: një vendtakim i përfaqësuesve të Kishave dhe i shoqërive civile të Italisë dhe të Rusisë. Themeluar me nismën e Shoqatës Ndërkombëtare “Sofia: ideja ruse – ide evropiane”, me bashkëpunimin e universitetit shtetëror dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare të Moskës, akademia do të zhvillojë veprimtarinë e vet pranë Vilës Sciarra-Wurts. Të pranishëm në përurim mitropoliti Hilarion, kryetar i departamentit të marrëdhënieve me jashtë të Patriarkatit të Moskës, dhe kardinali Renato Rafaele Martino, kryetar nderi i Këshillit Papnor Drejtësi dhe Paqë.
Po, cilat janë synimet e kësaj akademie?
Në mikrofonin tonë përgjigjet profesori i integrimit evropian pranë Universitetit katolik të “Zemrës Shenjte” të Milanos, Pierluka Azaro:

Përgjigje:Akademia përbëhet nga sektorë të ndryshëm, ai juridik, politik, të marrëdhënieve ndërkombëtare, i ekonomisë por edhe ai artistik dhe letrar. Të gjitha, këta i përshkon një ide e vetme që na e kujtojnë shpesh qoftë mendimin e Papës Benedikti XVI, qoftë atë të Patrikut Kirill. Dhe kjo ide ka të bëjë me rikthimin e diturisë së krishterë në mendimin perëndimor. Dituria e krishterë për të gjithë ne të krishterët – katolikë apo ruso-orotodoksë – është gurra e vërtetë e madhështisë njerëzore.
Nëse fakti, se njeriu është krijuar sipas shëmbulltyrës së Zotit, shpërfillet, nëse shpërfillet fakti tjetër, se Zoti i gjallë e deshi njeriun deri në vdekje, atëherë, sikurse e vërejmë çdo ditë, na imponohen etja për pasuri, egoizmi, armiqësia. Ajo që Papa Benedikti XVI e ka quajtur “gërbula e shpirtit” dhe që shëmton dhe kthen çdo gjë në gënjeshtër: e drejta që bëhet e drejtë antinjerëzore; ekonomia – dhe këtë vërejmë edhe në ditët e sotme – që kthehet në plaçkitje; arti që shndërrohet në himn kushtuar shëmtimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.