2010-05-19 17:54:01

Në ndjetin e uratës së majit, Papa kërkon lutje “për t’i dhënë fund tregtisë së mbrapshtë të qenieve njerëzore”.


(19.05.2010 RV)Benedikti XVI i fton të gjithë besimtarët të luten, që t’i jepet fund tregtisë së mbrapshtë e të papranueshme të qenieve njerëzore, në një kohë kur në këtë treg zvarriten miliona gra e fëmijë, skllevër të kohëve moderne. E ky është edhe ndjeti i lutjes së Papës për majin, që tingëllon si ftesë e re për mbrojtjen e dinjitetit të të gjithë njerëzve, duke iu përgjigjur, kështu, fjalëve të Jezusit: “Kam ardhur të sjell jetë, e jetë me begati”. Këtë thekson, në mikrofonin tonë, edhe motra Estrella Castalone, koordinatore e “Talità kum”, Rrjet Ndërkombëtar i Jetës Rregulltare, që ia kushton veprimtarinë luftës kundër shit-blerjes së njerëzve, themeluar më 2009, me nxitjen e Bashkimit Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithsheme (Uisg) dhe të Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit (Oim): RealAudioMP3

Përgjigje: - “Erdha të sjell jetë, e jetë me begati”: këto fjalë të Krishtit, në Ungjillin e Shën Gjonit, i cituam në deklaratën tonë kundër tregtimit të njerëzve. Jemi shumë të kënaqura, në përkim të plotë me Atin e Shenjtë e besojmë me gjithë zemër se çdo njeri ka të drejtë të jetojë me dinjitet, si bir i Hyjit.

Pyetje: - Si vepron rrjeti juaj për t’i vënë prita këtij fenomeni të turpshëm?

Përgjigje: Në rrjet, në misionin, që zhvillojmë, i kushtojmë vëmendje kryesore parandalimit e sensibilizimit, por edhe denoncimit të trafikut të njerëzve. Merremi, pastaj, me mbrojtjen e viktimave, të cilat i ndihmojmë konkretisht për të filluar një jetë të re. Duke kryer misionin tonë, impenjohemi edhe në luftën kundër varfërisë e flakjes së njerëzve nga radhët e shoqërisë, sepse janë këto shkaqet, që çojnë tek lindja e fenomenit të shitjes, në mënyra të dhimbshme, të trishtuara, të turpshme.

Pyetje: - Cila është leva kryesore e veprimtarisë suaj misionare?

Përgjigje: - Ne mbështetemi, para së gjithash, mbi sensibilizimin. Në misionin tonë, e vlerësojmë shumë kontaktin me njerëzit, sepse me ta duhet ta çojmë përpara impenjimin për t’i dhënë fund, ose për t’i bërë më pak të tmerrshme, pasojat e kësaj skllavërie të papranueshme moderne. Aktualisht kemi filluar një fushatë kundër tregtimit të njerëzve në Afrikën Jugore, ku në qershorin e ardhshëm do të zhvillohet Kampionati Botëror i Futbollit. Fakt tejet i hidhur, ky, që e lidh sportin me turpin e skllavërisë, me tregun e njerëzve, e pikërisht në një vend, ku është derdhur gjak për t’i dhënë fund, në vendin e aparteidit! Do të punojmë me tifozët, viktimat e mundshme, prijësit fetarë e njerëzit që, me a pa vetëdije, mund të marrin pjesë në këtë tregti.
Lëvizja jonë quhet “Talità-kum”! – “Vajzë, unë po të them, çohu!”, shprehje në gjuhën aramajke, shqiptuar nga Krishti kur ringjalli vajzën e vdekur në moshën 12 vjeçare. E ne për këtë përpiqemi: t’i ringjallim vajzat e djemtë, që kanë provuar tmerret e shitjes së tyre si skllevër. E nuk është aspak e lehtë, më besoni! Por as e pamundur. Tashmë i kemi krijuar edhe mundësitë, mjetet, burimet, strehët tona, ku mund t’u themi fëmijëve të shpërdoruar mizorisht: “Çohu e ec me dinjitet drejt së ardhmes!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.