2010-05-19 18:10:43

Monedha floriri me portretin e Nënë Terezës


TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në mbledhjen e qeverisë se do të priten një sasi monedhash floriri e argjendi me portretin e Nënë Terezës. Vendimi, sipas Berishës merret në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së shenjtores shqiptare, ndërkohë që ky është cilësuar si viti i Nënë Terezës.
" Mendoj se në nderim të saj qeveria të presë me fondet e buxhetit një sasi monedhash floriri dhe argjendi me portretin e saj. Procedurat duhet t'i nisim shpejt. Do jetë banka e shtetit ajo që do përmbushë prerjet ndërsa metali me vlerë do blihet nga qeveria", tha ai.
Berisha ka sqaruar se ky vendim nuk e prek rezervën, "por qeveria mund të blejë në treg, kundrejt vlerës, metalin e çmuar dhe duhet të organizohet dizenjo".

Sipas tij, komisioni do të ketë edhe ekspertë të vlerave monetare nga Banka e Shtetit, "nga Ministria e Financave, por, natyrisht, edhe dizenjatorë, të cilët do të bëjnë që ne të nderojmë, gruan më të shquar të kësaj toke, të të gjitha kohërave".
 
Nene Tereza dhe Shqiperia

UPDATE: Ka qenë një kohë e gjatë dhe e paarsyeshme, kur Nënë Tereza kishte nevojë për Shqipërinë, por ajo e mbajti larg. Tani ka filluar një epokë tjetër, kur Shqipëria ka nevojë për Nënë Terezën, por ajo është larg. Ka qenë një kohë, kur qeveria e parë e zotit Berisha kishte nevojë për shtëpitë bamirëse të Nënë Terezës, për të zbutur varfërinë dhe imazhin e tij në ditët e para të demokracisë në vend.
Ka ardhur një kohë, kur zonja Berisha iu fal ndihma shtëpive bamirëse të Nënë Terezës. Pra duket qartë se ka ardhur koha që Sali Berisha është gati të japë gjithçka, vetëm që t'i citohet dhe të bashkohet në opinion me Nënë Terezën. Deklarata e tij për sjelljen e eshtrave të Shenjtores nobeliste në mëmëdheun e saj ngjante më shumë si dëshirë për të prodhuar lajm se sa si një projekt konkret. Por dhe me kaq ia ka arritur qëllimit. Prej një jave shtypi perëndimor po merret me ato që quhen polemika në distancë mes qeverisë së Indisë, ndaj deklaratës së kryeministrit Berisha. Në këto ditë të vështira politike për Berishën në arenën ndërkombëtare, kur Bashkimi Evropian hedh dyshime për deformimin e demokracisë në vend dhe kur imazhi i tij ka probleme me ringjalljen e hijeve të së shkuarës, shfaqja e tij në medien botërore si një bashkatdhetar i Nënë Terezës dhe njeri që po përpiqet të riatdhesojë trupin e saj, është një kurim i mirë imazhi.
Por përtej cinizmit të kryeministrit shqiptar, i cili do dhe di të përdorë edhe historinë në funksion të problemeve të tij të sotme, Shqipëria duhet ta shikojë me realizëm çështjen e respektit ndaj shenjtores me origjinë shqiptare, nobelistes së Paqes, Nënë Tereza.
Së pari, dëshira dhe kërkesa që Nënë Tereza të varrosej në Shqipëri ka ekzistuar që kur ajo u nda nga kjo botë, por atëherë as që mund të flitej për këtë çështje. Nëse përjashtojmë periudhën e errët të komunizmit, kur ambasadori ynë në OKB braktiste seancën ku do fliste shenjtorja shqiptare dhe kur Enver Hoxha e quante atë një agjente të përdalë të imperializmit, ne kemi pasur boll kohë në liri të nderojmë figurën e saj dhe ta njësojmë sa më shumë me Shqipërinë.
Përveç disa iniciativave shumë të mira, siç është vendosja e emrit të aeroportit apo sheshit Nënë Tereza në Tiranë, Shqipëria mund të kishte bërë më shumë lidhur me historinë shqiptare të Nënë Terezës, sidomos me prirjen që Shqipëria të prodhojë lajme dhe imazhe që të kujtojnë Nënë Terezën. Në të vërtetë, kur vdiq Nënë Tereza, ne ishim në luftë me njëri-tjetrin dhe më të ndarë se kurrë. Në qendër të kësaj zallamahie që po rrënonte vendin, ishte largimi nga pushteti i Sali Berishës, pas një dhune 6-mujore që pasoi deformime të mëdha të demokracisë në vend. Edhe pse te varri i saj shkuan të gjitha palët, mëmëdheu i saj ishte një shembull i kundërt me jetën e saj.
Së dyti, Shqipëria duhet të jetë serioze edhe kur kryeministri i saj ka dëshirë të përdorë figurën e Nënë Terezës për të tërhequr vëmendjen nga problemet e tij politike. Kur thuhet që Shqipëria do të kërkojë eshtrat e Nënë Terezës, duhet të kemi vërtet një histori të tillë zyrtare ose së paku një procedurë zyrtare, qoftë dhe për hipokrizi. Në të vërtetë nuk kemi asgjë të tillë. Madje, nëse pyet qeverinë shqiptare sot, se kush e ka autoritetin mbi varrin e saj, qeveria indiane, Urdhri Nënë Tereza apo Vatikani, çdonjëri të jep një përgjigje siç e mendon vetë. Kjo do të thotë që s'ka pasur negociata, dhe as që ka ndonjë linjë negociatash në këtë drejtim. Por mbi të gjitha kjo do të thotë se nuk jemi seriozë, dhe kur duam të keqpërdorim Nënë Terezën.
Dhe së fundmi, Shqipëria duhet të bëhet bindëse në ndriçimin e portretit shqiptar të Nënë Terezës, edhe nëse nuk ia arrin të sjellë eshtrat e saj në Shqipëri. Ne duhet të kemi guximin të ndërtojmë në memorien e shoqërisë sonë figurën e saj, duke pranuar dhe fajin tonë për sjelljen barbare të komunizmit ndaj saj. Ne duhet të dëshmojmë se dimë të përulemi dhe të kërkojmë ndjesë si komb dhe për atë pjesë të errët që s'na përkiste të gjithëve, por na e imponoi një ideologji barbare. Kjo do nguliste në shoqërinë shqiptare një linjë urtësie dhe përuljeje që i përngjan Nënë Terezës dhe do të na bënte më pak qesharakë nga sa dukemi sot në megalomaninë tonë për të përfituar ç'të mundim për momentin nga Shenjtorja e Madhe. Ndryshe, ashtu sikundër urrejtja artificiale ndaj saj në kohën e komunizmit, edhe dashuria artificiale për nevoja politike të ditës e kryeministrit Berisha, do të na bëjë po aq dëm ne dhe Nënë Terezës. Ne, në vend që të afishohemi si populli i Nënë Terezës, do të shfaqemi si një shoqëri hipokrite, ndërsa Nënë Tereza do të humbasë dimensionet e saj të mëdha botërore që ka duke hyrë në rrjetën meskine të interesave të ditës së politikës sonë. Kjo do të bëjë që ne të shihemi me dyshim nga gjithë ata miliona njerëz në botë që e adhurojnë shenjtoren me origjinë shqiptare. Ne duhet të dimë të sillemi si populli i Nënë Terezës, që ta meritojmë atë. Ndryshe, nëse jemi sipërfaqësorë dhe momentalë me një njeri të Përjetshëm, askush s'do na e njohë Atë për vlerën tonë. Kështu si po veprojmë duket sikur kjo është Nënë Tereza e Sali Berishës dhe ne një turmë që s'dimë para kujt po përulemi.

Mero Baze, gazeta "Shekulli", 19. 05. 2010







All the contents on this site are copyrighted ©.