2010-05-19 17:54:14

Ditët e kulturës dhe të përshpirtërisë ruse në Vatikan: katolikët e ortodoksët rusë gjithnjë më pranë.


(19.05.2010 RV)Nxitja e dialogut ndërmjet ortodoksëve e katolikëve: ky është qëllimi i dy ditëve të kulturës e të përshpirtërisë ruse në Vatikan, që u hapën sot, me veprimtari të ndryshme. Me këtë rast, nesër pasdite, në Sallën e Palit VI, në orën 18.00, Orkestra kombëtare ruse e Shën Pjetërburgut, do të japë një koncert, ofruar Papës nga Patriku Rus i Moskës e i gjithë Rusive, Kirill.
Sot paradite, metropoliti Hilarion Alfejev i Patriarkanës së Moskës, u takua me kardinalin Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve dhe me kryeipeshkvin Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, organizator i takimit, përfunduar me një konferencë shtypi. U theksua se sfida e përbashkët e ortodoksëve dhe e katolikëve është mbrojtja e vlerave të krishtera në shoqëri, posaçërisht në vendet e çkristianizuara, me vetëdijen se katolikë e ortodoksë nuk janë konkurentë, por aleatë.
U fol shumë edhe për kulturën, e kur flitet për kulturë - nuk mund të mos flasësh edhe për përshpirtëri – siç na e kujton shkrimtari gjenial rus, Leon Tolstoi, njëqind vjet pas vdekjes, në sa Italia përgatitet ta festojë 2011-tën si vit kushtuar pikërisht kulturës ruse.
Por, në ç’pikë ka arritur dialogu ekumenik, në perspektivë të një takimi të mundshëm të Patrikut të Moskës me Papën? Metropoliti Hilarion shprehu dëshirën që një takim i tillë historik, i pari ndërmjet kryetarëve të të dyja kishave, të jetë pikërisht ndërmjet Patrikut Kirill e Benediktit XVI, të cilin Kisha ortodokse e vlerëson lart për qëndrimin e tij në çështjet morale e në impenjimin për mbrojtjen e vlerave tradicionale të krishtera.







All the contents on this site are copyrighted ©.