2010-05-19 17:53:45

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme kushtuar shtegtimit në Portugali: nga Fatima vjen një mesazh, që të ngushëllon e të mëson të shpresosh në Zotin!


(19.05.2010 RV)Mesazhi, që vjen nga Fatima, shkon përtej kërcënimeve e tmerreve të historisë! Flet për shpresë e besim në Zotin. Benedikti XVI e përsëriti këtë bindje në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, gjatë së cilës, përballë më se 30 mijë vetëve, shtegtarë e besimtarë, kujtoi etapat kryesore të vizitës së tij apostolike në Portugali. Gjatë përshëndetjeve, Papa e ftoi Kishën të lutet në prag të solemnitetit të Rrëshajëve.RealAudioMP3
Nga Fatima vjen një mesazh ngushëllues, jo frikësues. Benedikti XVI e fton një botë, e cila tepër shpesh e shikon gjithçka me mosbesim, të mos e shtrembërojë atë, që u tha Zoja e Bekuar tre barinjve të vegjël, në një ditë të largët, 93 vjet më parë, duke iu dukur në atë hapësirë të privilegjuar, të hapur nga qielli, përmbi tokë. Hapësirë e cila, që asokohe – pohoi Papa – na mëson të shpresojmë në mëshirën hyjnore, që shëron e shpëton:
“Është një mesazh i përqendruar mbi lutjen, mbi pendesën e mbi kthimin në rrugën e Zotit, që i kapërcen kufijtë e kërcënimeve, të rreziqeve, të tmerreve të historisë, për ta ftuar njeriun të ketë besim në veprën e Zotit, të ushqejë Shpresën e madhe, të provojë hirin e Hyjit, për t’u dashuruar me Atë, që është burim i dashurisë e i paqes”.
Nën qiellin ngjyrë hiri të një pranvere, që po vonon të lulëzojë, Benedikti XVI riktheu në Sheshin e Shën Pjetrit, ditët që i jetoi në Portugali. Përvojë prekëse, tejet e pasur me dhurata shpirtërore – e quajti - që nga ora e parë e nga perceptimi i parë, i cili të bën ta ndjesh veten shok udhe me njeriun, nën shenjën e Zojës së Fatimës, në atë vend ku Virgjëra Mari na drejtoi të gjithëve ftesën për ta parë tokën si vend të shtegtimit tonë drejt atmes përfundimtare, drejt Qiellit:
Gjatë gjithë shtegtimit (…) e ndjeva pranë meje paraardhësin tim të dashur, të përnderuarin Gjon Pali II, që shkeli tri herë në Fatima, duke falënderuar atë dorë të padukshme, që e çliroi nga vdekja në atentatin e 13 majit, këtu në Sheshin e Shën Pjetrit”.
Nga “festa e fesë dhe e shpresës”, tek Mesha e kryesuar në Terreiro do Paço të Lisbonës, ndërmjet qytetit e lumit Tago, tek takimi me përfaqësuesit e botës së kulturës, në Qendrën kulturore të Belém, gjithçka u përqendrua tek një urdhërim i vetëm: të rizbulohet Ungjilli, të kumtohet me zell, të krijohet bindja se vlerat e tij janë pasuri, që nuk mund të flaket, nuk mund të harrohet, nuk mund të mbytet nga asnjë lloj heshtjeje:
Në këtë tokë fisnike, si në çdo vend, ku krishterimi la gjurmë të pashlyeshme, mund të ndërtohet një ardhmëri vëllazërore, në bashkëpunim të ngushtë me instancat e tjera kulturore, në atmosferën e një dialogu të sinqertë e respektues”.
Nga Lisbona – në Kova d’Iria, për t’u zhytur – theksoi Benedikti XVI – në një atmosferë misticizmi real, në të cilin thuajse preket me dorë prania e Zojës së Bekuar. Papa u bë shtegtar, ndërmjet shtegtarëve – shpjegoi Benedikti XVI – për t’ia besuar Nënës së Virgjër shpresat e vuajtjet e botës, por edhe jetën e meshtarëve, atyre që ia kushtojnë zemrën-zemrës së papërlyer të Nënës së Krishtit. E lumi i flakës së procesionit me qirinj të ndezur, që zbritën për disa çaste qiellin në tokë, në sa mbi të dyndej errësira – e bën të prekshme edhe forcën e fesë së një turme, që thotë në kor Rruzaren shenjte:
Kjo lutje, aq e dashur për popullin e krishterë, gjeti në Fatima një qendër shtytëse për Kishën e botën mbarë. “Zoja e Bardhë”, në dukjen e 13 qershorit, u tha barinjve të vegjël: “Dëshiroj ta thoni çdo ditë Rruzaren”. Mund të themi, prandaj, se Fatima e Rruzarja janë gati –gati fjalë sinonime”.
Si e përfundoi katekizmin edhe në gjuhë të tjera, Benedikti XVI u kujtoi besimtarëve periudhën liturgjike të Kishës, atë të nëntëditshit të Rrëshajëve. Të rinjtë i ftoi ta pranojnë hirin e Shpirtit Shenjt; të sëmurët, ta presin si Ngushëllues, që i ndihmon për ta shndërruar vuajtjen në dhuratë për Zotin, në të mirë të vëllezërve; ndërsa për të sapomartuarit, urimi që jeta e çdo familjeje të ushqehet nga zjarri i Shpirtit Shenjt, Dashuri e Zotit vetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.