2010-05-18 15:27:28

Imzot Çeli në Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore: Kisha, e impenjuar gjithnjë e më tepër në baritorinë e botës dixhitale


(18.05.2010 RV)“Meshtari dhe baritoria në botën dixhitale: mediat e reja në shërbim të Fjalës”. Kjo ishte tema e Ditës Botërore të Komunikimeve Shoqërore, që u kremtua më 16 maj. “Përmes mjeteve moderne të komunikimit – pohon Papa në Mesazhin për këtë ditë – meshtari mund ta bëjë të njohur jetën e Kishës dhe t’i ndihmojë njerëzit e sotëm të zbulojnë fytyrën e Krishtit, duke bashkuar përdorimin e e nevojshëm e me kompetencë të këtyre mjeteve, me përgatitjen e fortë teologjike dhe me përshpirtërinë e spikatur meshtarake, të ushqyer nga komunikimi i vazhdueshëm me Hyjin”. Mbi domethënien e këtij mesazhi, intervistuam kryetarin e Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, imzot Klaudio Maria Çeli:
Mesazhi nuk u drejtohet vetëm meshtarëve, por u drejtohet të gjithëve, sepse është Kisha si e tillë, pra meshtarët dhe besimtarët laikë të impenjuar, që duhet të bëhen të vetëdijshëm për përgjegjësinë në fushën e mediave, në fushën e kësaj kulture dixhitale. Natyrisht, në kontekstin e Kishës, meshtarët luajnë një rol të veçantë dhe Papa e nënvizon qartë se kemi të bëjmë me një baritori të vërtetë në këtë fushë të teknologjive të reja. Në mesazhin e tij, Papa vë në dukje se duhet të ushtrojmë një diakoni, një shërbim, në fushën e kulturës dixhitale. Kohët e fundit, dikush më pyeti: a ekziston vërtet kultura dixhitale? Gjithçka varet nga ç’kuptim i japim fjalës “kulturë”. Por një gjë është e sigurtë: teknologjitë e reja na e kanë ndryshuar jetën, prandaj, mendoj se kush kryen shërbimin meshtarak duhet ta shohë botën e mediave si fushë të baritorisë së vet.
Toni i mesazhit të Papës është pozitiv e Benedikti XVI inkurajon përdorimin e teknologjive të reja. Por, nuk mungojnë edhe shqetësimet, sfidat e kësaj bote dixhitale…
Në mesazhet e tij të fundit, Papa i sheh me interes tekonologjitë e reja, e kupton ofertën konkrete, që ato mund t’i japin shpalljes së Lajmit të Mirë të Ungjillit. Pasi, pa dyshim, mbetet gjithnjë i vlefshëm misioni, që i është besuar Kishës: ai i shpalljes së Fjalës së Zotit, e vetmja fjalë që shëlbon. Por është e vërtetë - e jemi të vetëdijshëm për këtë – se teknologjitë e reja u japin hapësirë edhe gjërave që e shkatërrojnë njeriun e ndikojnë negativisht në jetën e tij. Nganjëherë, nënvizoj me buzëqeshje se njeriu i sotëm është shumë i kujdesshëm ndaj ekologjisë, me të drejtë, do të thosha. Tregon kujdes për ajrin që thith, për ujin që pi, për ushqimet që ha. Por është më pak i kujdesshëm ndaj ekologjisë shpirtërore. Do të thotë, që tregon më pak vëmendje për gjërat e shoqërisë më pak të denja, që respektojnë më pak dinjitetin e tij. Papa është i vetëdijshëm për këto vështirësi, madje ai vetë, në mesazhin e vitit të kaluar, nënvizonte disa kufizime të kulturës dixhitale. Ja përse besoj se në këtë sektor, përgjegjësit, pra meshtarët që merren veçanërisht me baritorinë në botën dixhitale, duhet të jenë të ndërgjegjshëm për rreziqet. Është e pamohueshme se sot, tekonologjitë e reja nuk ndihmojnë në krijimin e një ambienti heshtjeje, por mendoj se përshpirtëria e vërtetë, e thellë, ka nevojë për çaste heshtjeje!







All the contents on this site are copyrighted ©.