2010-05-17 18:12:20

Paraqitet, në Milano, përmbledhja e shkrimeve të Patrikut Kirill.


(17.05.2010 RV)"Liri e përgjegjësi: në kërkim të harmonisë. Dinjiteti i njeriut dhe të drejtat e tij”. Ky është titulli i vëllimit, që përmbledh shkrimet e Patrikut të Moskës dhe të të gjithë Rusive, Kirill. Libri u paraqit sot në Universitetin Katolik të Milanos. Gjatë paraqitjes, foli kryeipeshkvi i Milanos, kardinali Dionigji Tetamanci e, në përfundim, edhe metropoliti Hilarion, kryetar i Departamentit për marrëdhënie me jashtë të Patriarkanës së Moskës.
Vëllimi i Patrikut Kirill përmbledh fjalimet e tij mbi temën e të drejtave të njeriut e të dinjitetit të tij të paprekshëm. Siç shkruan në hyrje imzot Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, libri tërheq vëmendjen mbi “lindjen e ca të drejtave të reja”, që përfshijnë brenda tyre degjenerimin e dinjitetit të vërtetë vetjak, të hyra kontrabandë si shprehje të lirisë, që ka për kufi vetëm moskufizimin e lirisë së tjetrit”. Siç nënvizoi kardinali Tetamanci, koncepti i lirisë perëndon shpejt, në se nuk lidhet ngushtë me konceptin e përgjegjësisë:
“Shpreha kështu, me një mikpritje plot gëzim shpirtëror, bindjen se të gjithë së bashku mund e duhet ta vijojmë me shpresë, këtë rrugë të Kishës që, sipas vullnetit e dëshirës së Zotit, është një Kishë e vetme e shenjte”.Tema u thellua më tej nga don Gjuzepe Kosta, drejtor i Shtëpisë Botuese të Vatikanit, që e shtypi vëllimin, në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare Sofia: ideja ruse, ide e Evropës.
Pas tij folën edhe shumë të tjerë. Përmbledhjen e diskutimeve e bëri metropoliti Hilarion, i cili vërejti se Kishën Katolike e atë Ortodokse i bashkon bashkëpunimi në luftën ndërmjet traditës së krishterë e idelogjisë liberaliste e shekullariste. Hilarioni shpjegoi se Patriku Kirill mbron, në vepër, vlerat morale, të përbashkëta për të dyja traditat, e sidomos, lirinë, rrugë kryesore, në të cilën ecin ata, që kërkojnë të vërtetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.