2010-05-17 17:47:56

Impenjimi i katolikëve në politikë në qendër të mbledhjes së Këshillit Papnor për Laikët


(17.05.2010 RV)Nga data 20 deri më 22 maj do të zhvillohet në Romë Asambleja e 24-t e Këshillit Papnor për Laikët me temë “Dëshmitarë të Krishtit në bashkësinë politike”. Të premten, më 21 maj, pjesëmarrësit do të takohen me Papën Benedikti XVI. Një komunikatë e dikasterit nënvizon se Ati i Shenjtë ka shprehur mëse një herë nevojën dhe urgjencën e impenjimit të katolikëve në jetën politike. Në fjalimin hyrës të Konferencës V të Përgjithshme të Episkopatit Latinoamerikan, pati thënë se “Respekti për një laicitet të shëndoshë – duke përfshirë edhe pluralizmin e qëndrimeve politike – është thelbësor për traditën e krishterë. Nëse Kisha do të shndërrohej drejtpërdrejt në subjekt politik, nuk do të bënte më shumë për të varfërit e për drejtësinë, por do të bënte më pak, pasi do ta humbiste pavarësinë dhe autoritetin e saj moral, duke u identifikuar me një linjë politike e me qëndrime të pjesshme, të diskutueshme. Kisha – nënvizon Papa – është avokate e drejtësisë dhe e të varfërve, pikërisht sepse nuk identifikohet as me politikanët, as me interesat e partisë…Formimi i ndërgjegjes, mbrojtja e drejtësisë dhe e së vërtetës, edukimi i virtyteve individuale e politike është vokacioni themelor i Kishës në këtë sektor. E laikët katolikë – shton Benedikti XVI – duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre në jetën publike; duhet të jenë të pranishëm në formimin e konsensusit të nevojshëm dhe në opozitë kundër padrejtësive”.







All the contents on this site are copyrighted ©.