FAO fillon fushatën e sensibilizimit për luftën kundër urisë
(17.05.2010 RV)FAO (Organizata Botërore e Ushqimit) filloi kësaj jave fushatën
“One billion hungry” (Një miliard të uritur), me qëllim sensibilizimin e opinionit
publik për luftën kundër urisë dhe rritjen e presionit mbi qeveritë, që të mbajnë
premtimet e dhëna. Tashmë janë 1 miliard, personat që vuajnë nga uria, një shifër
që rritet vazhdimisht, në vend që të zbresë, siç mendohej në Objektivat e mijëvjeçarit,
nënshkruar në vitin 2000 nga të gjitha vendet e OKB-së. Për të firmosur peticionin
e FAO-s, mjafton të shkohet në faqen e internetit të organizatës, adresa e së cilës
përkon me temën e fushatës. Objektivi është të arrihet në një milion firma brenda
vitit, për t’i çuar në Nju Jork, në Kombet e Bashkuara, si protestë kundër rritjes
së numrit të të uriturve në botë.