2010-05-15 07:58:00

Përkujtojmë sot 20 vjetorin e vdekjes së Mons. Nikollë Minit, famullitarit të katedrales së Prizrenit


(15. 05. 2010 RV)Prifti i jashtëzakonshëm dom Nikollë Mini, lindi më 9 korrik 1924, në Ferizaj të Kosovës. Ishte më i vogli ndër katër fëmijët, që Zoti u fali prindërve, Kolë Mini dhe Monika Kajtazi.
Shumë shpejt mbeti jetim dhe iu desh të strehohej në dyert e të afërmve. Fëmijë i mençur, jashtëzakonisht i shkathët, Nikolla tërhoqi vëmendjen e meshtarëve vendas, që e përcollën në seminarin e Prizrenit e pastaj në Seminarin e Shkodrës e të Zagrebit, ku kreu studimet filozofike e teologjike.
U shugurua meshtar njëherësh me Don Milorad Defarin, misionar kroat i mirënjohur ndërmjet shqiptarëve me emrin Dom Mila, në vitin 1950. Nisi menjëherë shërbimin meshtarak kudo e kërkoi Kisha duke ungjillëzuar e përforcuar besimtarët në fenë e Krishtit e në identitetin kombëtar: nga Shenjtërorja e Zojës së Crnagorës në fshatin Letnicë, në fshatin Novoselë të Gjakovës, në fshatin Bec, Zym, Velezhë e në katedralen e qytetit të Prizrenit, ku don Nikollë Mini mbylli sytë më 15 maj 1992 në elter, ndërsa kremtonte Eukaristinë Shenjte, Meshën shenjte, duke vulosur kështu përkushtimin themelor ndaj Trupit Mistik të Krishtit, Kishës, për çka ishte përpjekur tërë jetën me të gjitha energjitë.
Figurë poliedrike, Monsinjor Nikollë Mini u dallua si meshtar, si ndërtues kishash, organizator i rinisë katolike, mjeshtër i korit kishtar, predikatar e gojëtar, publicist, autor i flepalosjes "Zani i Zojës së Crnagorës" dhe i katekizmit me titull "Besimi katolik", themelues, bashkë me Imzot Nikë Prelën, i revistës fetare-kulturore "Drita" e cila më vonë pati edhe shtëpinë e vet botuese prej nga dolën shumë botime të reja.
Në 20 vjetorin e vdekjes e kujtojmë si njeri që jetoi për Zotin e me Zotin, për popullin e me popullin; si meshtar që jetoi për Elterin e mbylli sytë në elter, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në jetën e Kishës e të kulturës shqiptare, si model që meriton të ndiqet nga breznitë e reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.