2010-05-15 08:11:32

Më 15 maj kalendari Kishtar përkujton Shën Sofinë.


Shën Sofia është martire e Kishës katolike. Ishte nënë e tri vajzave, që quheshin Feja, Shpresa e Dashuria. Të tria u martirizuan para nënës së tyre, e cila dha dëshminë e gjakut për Krishtin në Romë, rreth vitit 350. Ikona e paraqet të veshur me të zeza, të rrethuar nga të bijat, edhe ata me rrobe zije.
Shenjtorja Shën Sofia , Pajtore qiellore e intelektit, është shumë e nderuar si në Lindjen, ashtu edhe në Perëndimin e krishterë. Këtë e tregon fakti se Asaj iu kushtua njëra nga katedralet më të famshme të botës, ajo e Hagia Sophi-së, apo e Shën Sofisë në Kostandinopojë, ngritur nga perandori Kostandin, në qendër të vëmendjes së opinionit publik pak muaj më parë, e pikërisht në nëntor të vitit 2007, kur këtu ishte për vizitë Papa Racinger.
Gjatë vizitës në Muzeun e Shën Sofisë, Kisha më e madhe e Lindjes, kthyer në xhami nga otomanët e në muze nga Atatyrku, Papa Racinger pati rastin të sodiste mozaikun e famshëm të Zojës së Bekuar me Krishtin Fëmijë, të Krishtit Pantokrator, ikonën e Shenjtës Pajtore, kupolën 51 metra të lartë e 31 të gjerë dhe shumë mrekulli të tjera arti.
Në përfundim të vizitës, Shenjtëria e Tij Benedikti XVI shkroi në librin e artë të Shën Sofisë shtatë radhë me shkrimin e tij të imtë. Poshtë tyre, firma historike: Benedikti XVI.
Pak më vonë Benediktit XVI vizitoi edhe Xhaminë Blu të Stambollit, tempulli më i rëndësishëm islamik i qytetit, ndërtuar ndërmjet viteve 1603-1613. Quhet me këtë emër, për shkak të mozaikëve blu që veshin tavanin, muret e kupolat.
Kur u ndodhën para mihrabit të Xhamisë Blu, Papa dhe Kryemyftiu u zhytën në meditim të heshtur e sigurisht duhet t’i kenë lartuar mendimet kah Zoti”.
“Kjo vizitë do të na ndihmojë të gjejmë mënyrat e rrugët e paqes, për të mirën e njerëzimit” – i tha Papa Myftiut të Stambollit, Mustafa Kagriçit, që e priti në Xhaminë Blu në vitin 2007.
Shën Sofia duhet të ketë qenë një nga Shenjtoret më të nderuara në Shqipërinë e Kastriotit. E dëshmon fakti se emri i saj ishte shumë i përhapur e se një nga grupet e të ikurve pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, që nguli në Kozencë të Kalabrisë, e pagëzoi fshatin ku u vendos me emrin domethënës, Shën Sofia e Epirit. E ruan këtë emër edhe sot e kësaj dite fshati kalabrez, në të cilin sot banojnë 3. 125 arbëreshë. Shenjtorja është edhe Pajtore e Sofies, kryeqytet i Bullgarisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.