2010-05-15 08:51:54

Luçie Miloti, këngëtarja e madhe në 4 vjetorin e vdekjes


Duke shfletuar kalendarin historik, më 15 maj përkujtojmë 4 vjetorin e vdekjes së artistes shkodrane Luçie Miloti, këngëtares së cilësuar “Bilbili i Ballkanit”, sigurisht këngëtares më të mirë të Shqipërisë.
Luçie Miloti lindi më 11 maj 1930 në Shkodër, vdiq më 15 maj 2006 në Tiranë. Luçie Miloti lindi në një familje shkodrane me tradita muzikore. Rruga e saj artistike do të niste në Radion e Shkodrës dhe më pas do të angazhohej në shtëpinë e Kulturës të qytetit të Shkodrës, nën dirigjimin e Prenk Jakovës.
Transferimi i familjes në vitin 1946 do ta afronte në jetën artistike të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë. Fillimisht emërohet si soliste në Radio Tirana nën drejtimin e Paulin Palit dhe një vit më vonë emërohet si soliste në filarmoninë shqiptare me krijimin e institucioneve të tjera kulturore artistike profesioniste të kryeqytetit, Luçija u aktivizua në Estradën e Tiranës dhe në 1957, emërohet soliste në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë kësaj periudhe do të jenë të shumta këngët që do të kompozohen për zërin e saj.
Do të vazhdojë si soliste në Ansamblin Popullor deri në moshën 45 vjeçare, kur del edhe në pension. Që nga kjo kohë ajo ishte e shkëputur na skena. Më 15 maj të vitit 2006 në Tiranë pas një sëmundje, Luçia ndërrojë jetë pak ditë pas ditëlindjes së 76-të të saj.
Në kujtimet e artistëve bashkëkohës me të, Luçie Miloti vlerësohet si një këngëtare e veçantë. Skenën e pushtonte vetëm me zërin e saj, sepse asnjëherë nuk i përdorte gjestet shoqëruese.
Në repertorin artistik numërohen 500 këngë të cilat këngëtarja Luçie Miloti i ka përcjellë edhe në botën e huaj. “Çila sytë, due me te pa”, “Për mue paska kane kysmet”, “Bishtalecat palë palë”, “Shpend ma i parë i bukurisë”, “Zanusha”, “Me zaman asaj furije?, “Çu çue Rushja”, etj do të ishin disa nga këngët që dëgjoheshin nëpërmjet Radio Tiranës e në trevat shqiptare e në diasporë.
Në formimin profesional të mëtejshëm do të këndonte këngë si “Kaçurrelat e tu”, “Synin tënd larushe mij çike”, “Me t’shi hajtshamos” etj. Luçie Miloti në karrierën e saj ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, si në skenat e shume kryeqyteteve të Ballkanit dhe madje të botës. Në Varshavë është vlerësuar me titullin “Bilbili i Ballkanit”, ndërsa në Bullgari muzikologët e kanë cilësuar si “Bilbili me zë kristalor”.
Për kontributin e saj muzikor, më 1961 ka marrë titullin “Artiste e Merituar” dhe urdhrin “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Shqipërisë Rexhep Mejdani. Me vendimin e Bashkisë së Tiranës, një rrugë e Tiranës merr emrin e këngëtares së mirënjohur Luçie Miloti. Po dashamirët e muzikës e kujtojnë Luçien për artin e saj, për zërin e saj me timbër të rrallë, melodioz, me një regjistër shumë të madh. Në zërin e saj Jarja shkodrane vinte e përkryer.
Luçia Miloti qe shpirti, zemra, dashuria e popullit shqiptar, me zërin e së cilës bilbili ka ngritur peshë të gjithë ata që e dëgjuan. Luçia ndikoi edhe në reformimin e muzikës popullore shqiptare, duke e pastruar nga huazimet e huaja e duke e kthyer në origjinalitetin e saj.
Artiste e lindur, e pazëvendësueshme në gjininë e saj, arriti të dallohej mbi të gjithë artistët tjerë të këngës, fal dhuntisë së veçantë që Zoti i kishte dhuruar: zërin e mrekullueshëm, Luçies koha kur jetoi nuk i dha atë që meritonte, po ajo bëri epokë në këngën shqiptare dhe me aftësinë e saj dha një kontribut të jashtëzakonshëm në pastrimin e këngës popullore shkodrane.
Mjeshtëria dhe profesionaliteti i saj u kthyen në një simbol të kulturës dhe të traditës shkodrane, edhe në skenat ndërkombëtare, ku Luçie Miloti shfaq magjishëm vlerat më të vyera kulturore të shpirtit të popullit shqiptar duke kënduar.







All the contents on this site are copyrighted ©.