2010-05-14 18:04:28

Simpozium në Tiranë për Nënë Terezën me rastin e 100 vjetorit të lindjes së saj


Më 15 maj 2010 në Tiranë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” do të mbahet një simpozium për Nënë Terezën e Kalkutës me rastin e 100 vjetorit të lindjes së saj. Në simpozium do të jenë të pranishëm personalitete nga fusha fetare, politike dhe akademike. Fjalën e mirëseardhjes e do ta mbajë Imzot Rrok Mirdita, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e cila është edhe organizuesja e këtij simpoziumi. Do të përshëndesë simpoziumin Kryetarja e Parlamentit Znj. Jozefina Topalli dhe Nunci Apostolik në Tiranë Imzot Ramiro Molner Ingles.
Një vend të veçantë do të zënë ligjëratat që do të mbahen për këtë rast. Atë Brian Kolodiejchuk, M.C., i cili është edhe i ngarkuari që po ndjek çështjen e shenjtërimit të Nënë Terezës pranë Vatikanit, do të flasë rreth viteve të saj të errësirës shpirtërore nëpërmjet letrave intime të Nënës Terezë të cilat së shpejti do të dalin edhe në gjuhën shqipe. Më tej një motër e nënë Terezës, motra Ancila Kërhanaj M.C. do të flasë për nënë Terezën dhe fillimet e misionit të saj në Shqipëri. Motër Ancila e ka shoqëruar nënë Terezën në udhëtimin e saj të parë në Shqipëri në vitin 1989 dhe në fillimet e misionit të saj në Shqipëri.
Në pjesën e dytë do të jenë ligjëratat e disa akademikëve nga trevat shqiptare. Z. Anton Serreqi nga Shkupi do të flasë për lidhjet e nënë Terezës, që bota e quajti nënë, me vendlindjen e saj dhe me shqiptarët. Prof. Dr. Mark Camaj, ish ambasador i Serbisë dhe Malit të Zi në Shqipëri dhe profesor i letërsisë klasike në Universitetin e Podgoricës, do të flasë mbi nënë Terezën në Literaturën botërore. Prof. Dr. Anton Nikë Berisha nga Kosova, një njohës i mirë i nënë Terezës, do të flasë mbi nënë Terezën në poezinë bashkëkohore. Në fund Atë Gazmend Tinaj si për t’i dhënë një dritë përshpirtërisë së nënë Terezës, do të na udhëheqë nëpërmjet dy vargjeve të Biblës që kanë frymëzuar Nënë Terezën, në kuptimin e misionit të saj.
Kanë dhënë konfirmimin e tyre në këtë takim përfaqësues të presidencës, të ambasadave të ndryshme si dhe Znj. Liri Berisha që udhëheq edhe një fondacion me emrin e nënë Terezës. Ky është vetëm njëri prej aktiviteteve me rastin e 100 vjetorit të Nënë Terezës.
Pritet së shpejti dalja e librit me letrat intime të Nënë Terezës dhe promovimi që do të bëhet me këtë rast. Gjithashtu me rëndësi është edhe data 26 gusht në të cilën do të kremtohet një meshë solemne, me një të dërguar nga Vatikani, në Katedralen e Laçit të Vaut të Dejës e cila i është kushtuar Nënë Terezës. Po mbi këtë të dëgjojmë don Gjergj Metën në mikrofonin e Radio Vatikanit.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.