2010-05-14 16:57:48

Mesha në Porto: feja nuk imponohet, propozohet, pa frikë e pa kufizime, me besim të plotë tek Jezusi.


(14.05.2010 RV)Sot rreth orës 8.00, me orën vendase, 9.00 me atë të Italisë, Papa u largua nga “Shtëpia e Zojës Karmë”, në Fatima dhe u nis për në Porto. Këtu, në orën 10.15, kremtoi Meshën Shenjte, në Sheshin e Madh “Avenida dos Aliados”.
Në një takim të shkurtër në Porto, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Lombardi, njoftoi se në Meshë ishin të pranishëm më se 120 mijë besimtarë e se kremtimi, ashtu si i gjithë shtegtimi, ishte i mrekullueshëm. Pjesëmarrja e besimtarëve erdhi gjithnjë duke u rritur, shumë përtej parashikimeve. E kjo ishte e papritur e këndshme për Papën, që e jetoi këtë shtegtim me gëzim të madh, me shëndet të plotë, me pjesëmarrje aktive e me gjithë zemër në çdo çast të këtij përqafimi vigan me Portugalinë katolike.
Mendoj se Benedikti XVI – tha Atë Lombardi – që njihej pak e konsiderohej njeri i ftohtë, jo aq komunikues sa Paraardhësi i tij, Gjon Pali II, u bë familjar, mik, me një personalitet të matur e tejet njerëzor, të përzemërt e gazmor.
Pritje triumfale për Benediktin XVI në Porto, e njëjta ngrohtësi, që e rrethoi gjatë gjithë këtij shtegtimi në Portugali. Për ta pritur Atin e Shenjtë kishte dalë mbarë qyteti. Përplot me njerëz të gjitha rrugët, që çojnë në Sheshin historik “Avenida dos Aliados”, ku u kremtua Mesha; përplot edhe ballkonet, dritaret, çdo kënd, prej nga mund të shikohej e të brohoritej Papa.
Gjatë homelisë – përqendruar tek karakteri misionar i festës së Shën Matisë Apostull, Papa i ftoi të pranishmit të bëhen, së bashku me Të, Pasardhësin e Shën Pjetrit, dëshmitarë të ngjalljes së Krishtit:
I krishteri është, në Kishë e me Kishën, misionar i Krishtit, i dërguar në botë. Ky është misioni i të gjitha bashkësive kishtare, që nuk duhet shtyrë për asnjë çast: ta marrin nga Hyji e t’ia ofrojnë botës Krishtin e Ngjallur, që çdo situatë ligështie e vdekjeje të shndërrohet, për virtyt të Shpirtit Shenjt, në burim jete e lulëzimi. Eukaristia e Fjala e Krishtit na bëjnë dëshmitarë të Jezusit të Ngjallur në botë, duke e çuar Zotin në fusha të ndryshme të jetës shoqërore.
Ne nuk imponojmë asgjë, asnjëherë, ne vetëm propozojmë – tha Papa - e jemi gati t’i përgjigjemi kujtdo që kërkon arsyen e shpresës sonë. Këtë shpresë, në fund të fundit, e kërkojnë të gjithë, edhe ata që duken sikur nuk e kërkojnë. Nga përvoja personale – vërejti Ati i Shenjtë - e dimë mirë se Jezusi është ai, që e presin të gjithë, sepse pa Zotin, njeriu nuk di nga t’ia mbajë, madje nuk di as kush është. Prandaj duhet të shkojmë tek të tjerët e t’ua kumtojmë Lajmin e Mirë të Jezusit të gjithë atyre, që nuk e njohin ende.
Në vitet e fundit – tha Benedikti XVI – kuadri antropologjik, kulturor e shoqëror ka ndryshuar shumë. Sot Kishës i duhet të përballojë sfida të reja, ndërmjet të cilave, sfida e dialogut. E Kisha është gati të dialogojë me kulturat e fetë e ndryshme, në përpjekjen për të ndërtuar, së bashku me çdo njeri vullnetmirë, bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve:
Fusha e misionit ‘ad gentes’ (ndërmjet popujve), paraqitet sot shumë më e gjërë e nuk mund të përcaktohet vetëm mbi bazën e kufijve gjeografikë, sepse nuk na presin vetëm popujt jo të krishterë e tokat e largëta, por edhe fushat shoqëroro- kulturore e, posaçërisht, zemrat, që kanë etje për veprimtarinë misionare të popullit të Zotit. Jemi të thirrur t’i shërbejmë njerëzimit të kohës sonë, duke u mbështetur vetëm në Jezusin. Gjithçka përcaktohet duke u nisur nga Krishti: e kjo, sepse misionin e marrim pikërisht prej Jezusit, i cili na bëri të njohim atë, që dëgjoi nga Ati i vet, përmes Shpirtit Shenjt, në Kishë:
Ashtu si vetë Kisha, vepër e Krishtit dhe e Shpirtit Shenjt, duhet rinuar faqja e tokës, duke u nisur nga Zoti, gjithnjë e vetëm nga Zoti!".
Në përfundim të Meshës Papa bekoi gurin e parë të seminarit ‘Redemptoris Mater’ të Portos.“Kisha jonë – tha ipeshkvi i qytetit, imzot Manuel Klementi – i premtoi Papës se do t’i përgjigjet thirrjes për pendesë e kthim në rrugën e Zotit, temë kjo e gjithë shtegtimit papnor.
Veprimtaria e fundit në Porto, ishte dalja e Papës në ballkonin e Bashkisë, për të përshëndetur mijëra besimtarët, mbledhur në shesh e në rrugët përqark. Edhe sot – siç vijojnë të shkruajnë gazetat lokale - turmat u bënë një me Papën, e Papa me turmat e besimtarëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.