2010-05-13 13:36:31

“Mesazhi i Fatimës”: koment teologjik nga kardinali Jozef Racinger,
Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë


(13.05.2010 RV)Për pjesën e parë dhe të dytë të “sekretit” të Fatimës është folur gjërësisht në letërsinë, që lidhet me to, prandaj nuk është e nevojshme të shpjegohen përsëri. Dëshiroj, vetëm, të tërheq shkurtimisht vëmendjen mbi pikën më domethënëse: fëmijët patën, për një çast të tmerrshëm, që zgjati vetëm një të imtë, vegimin e ferrit. Panë “rënien e shpirtrave të mëkatarëve të varfër”. E pastaj u shpjegohet pse u desh ta jetonin këtë çast: për “të shpëtuar” – për të treguar udhën e shëlbimit të shpirtrave”(1,9). E rruga për arritjen e këtij qëllimi, është devocioni për Zemrën e Papërlyer të Zojës së Bekuar. Që ta kuptojmë këtë, mjafton një shpjegim i shpejtë: në gjuhën e Biblës, “Zemra” është qendra e jetës njerëzore, është bashkëdikimi i arsyes, vullnetit, temperamentit, ndjeshmërisë, në të cilën njeriu gjen unitetin dhe drejtimin e tij shpirtëror. “Zemra e Papërlyer”, sipas Mateut (5,8) është zemër që, duke u nisur nga Zoti, ka arritur një unitet të përkryer shpirtëror e, prej këndej, “shikon Zotin”. Prandaj “Devocion” për Zemrën e Papërlyer të Marisë, do të thotë t’i afrohesh kësaj prirjeje të zemrës, në të cilën “fiat”- “u bëftë vullneti yt” – kthehet në qendër të gjithë jetës. Në se ndokush do të vërente se nuk duhet të vemë një qenie njerëzore ndërmjet nesh e Krishtit, atëherë duhet t’i kujtojmë se Pali nuk ka frikë t’u thotë bashkësive të tij: “Më përngjani!” (1Kor 4,16; Fil 3,17; 1 SEl 1,6; 2 Sel 3, 7-9). Duke i përngjarë Apostullit, ata mund të vërtetojnë konkretisht ç’do të thotë ta ndjekësh Krishtin. Por nga kush mund ta mësojmë më mirë këtë, sesa nga Nëna e Zotit?
Arrijmë, kështu, më në fund, tek “pjesa e tretë e sekretit “ të Fatimës që, për herë të parë, u botua këtu i plotë. Siç e shikojmë edhe nga dokumentacioni i mëparshëm, interpretimi që bëri kardinali Sodano në tekstin e tij të 13 majit, u bë më parë nga vetë Motër Luçia. Lidhur me këtë, Motër Luçia vërejti, mbi të gjitha, se asaj iu dha vegimi, por jo ftillimi. Interpretimi, thoshte, nuk i takon vegimtarit, por Kishës. Megjithatë ajo, pasi lexoi tekstin, tha se ky shpjegim përkonte me atë, që kishte parë e kishte provuar e se ky interpretim i dukej korrekt.
Fjalët- kyçe të pjesës së parë e të dytë të “sekretit”, janë “shpëtimi i shpirtrave”, ndërsa në pjesën e tretë, britma e përsëritur tri herë: “Pendesë! Pendesë! Pendesë!”. Na kujtohet menjëherë fillimi i Ungjillit: “paenitemini et credite evangelio”(Mk 1, 15). Të kuptosh shenjat e kohës, do të thotë të kuptosh urgjencën e pendesës – të kthimit në rrugën e Zotit - të fesë. Kjo është përgjigjja e drejtë, në një çast historik, të ngarkuar me rreziqe të mëdha, të cilat përvijohen në pamjet e mëtejshme. Besoj se më lejohet të shtoj këtu, një kujtim personal: gjatë një bisedimi me Motër Luçinë, ajo më tha: “E kam përherë e më të qartë se synimi i të gjitha dukjeve ishte thellimi gjithnjë më i madh i fesë, i shpresës e i dashurisë – gjithçka tjetër kishte për qëllim të çonte pikërisht këtu.
Por, t’i shqyrtojmë tani pak më nga afër figurat e ndryshme. Engjëlli me shpatë zjarri në të djathtë të Nënës së Zotit, na kujton pamje të ngjashme të Zbulesës së Shën Gjonit. Janë simbol i kërcënimit të gjyqit, që varet mbi botën. Perspektiva, sipas së cilës bota mund të bëhet hi e pluhur në një det flakësh, sot nuk duket aspak si fantazi: njeriu vetë, me shpikjet e tij, e ka farktuar tashmë shpatën e zjarrtë. Por vegimi tregon edhe forcën, që i kundërvihet pushtetit të shkatërrimit – shkëlqimin e Nënës së Zotit e, prej këndej, thirrjen për pendesë. Kështu theksohet sa rëndësi ka liria e njeriut: e ardhmja nuk është aspak e pandryshueshme, e figura që panë fëmijët, nuk është film, me pamjet e një ardhmërie, në të cilën nuk mund të ndryshohet asgjë. I gjithë ky vegim ka për qëllim t’u kujtojë njerëzve se kanë lirinë e edhe mundësinë për të ecur në një rrugë më të mirë. Prandaj duhet theksuar se janë krejtësisht pa vend shpjegimet fatalistike të “sekretit”, sipas të cilave atentatori i 13 majit 1881, në fund të fundit nuk ishte tjetër, veçse një mjet i udhëhequr nga Provania e se nuk mund të thuhet se veproi lirisht, ose ide të tjera të tilla, që qarkullojnë aty-këtu. Vegimi, mbi të gjitha, kujton rreziqet si dhe udhën, që duhet ndjekur, për të shpëtuar prej tyre.
Frazat e mëpasme të tekstit tregojnë qartë karakterin simbolik të vegimit: Hyji mbetet i pamatshëm, dritë që kapërcen çdo vegim tonin. Njerëzit duken si në një pasqyrë, simbol i kufizimit të brendshëm të vegimit, kufijtë e të cilit janë të përcaktuar. E ardhmja tregohet vetëm “si në një pasyrë, në mënyrë të errët” (cfr 1 Kor 13,12).

T’i marrim, tani, një nga një, figurat e ndryshme, që pasojnë në tekstin e “sekretit”. Vendi i ngjarjeve përshkruhet me tre simbole: një mal i thepisur, një qytet vigan, gjysëm i rrënuar e, së fundi, një kryq i madh prej trungjesh të pagëdhendur. Mali e qyteti simbolizojnë vendin e historisë njerëzore: historinë, si ngjitje e mundimshme drejt lartësish; historinë, si vend i krijimtarisë e i bashkëjetesës njerëzore, por njëkohësisht, si vend shkatërrimesh, në të cilin njeriu asgjëson veprën e duarve të veta. Qyteti mund të jetë vend bashkimi e progresi, por edhe vend rreziku e kërcënimesh të tmerrshme. Mbi mal është Kryqi – cak e pikë orientimi: lartohet, si shenjë e mjerimit të historisë e si premtim për ardhmërinë e saj.
Duken, pastaj, njerëz: Ipeshkvi i veshur me të bardha (“patëm parandjenjën se duhet të ishte Ati i Shenjtë”), ipeshkvij të tjerë, priftërinj, rregulltarë e rregulltare e, më në fund, burra e gra të të gjitha klasave e shtresave shoqërore. Papa duket se u prin të tjerëve, duke u dridhur e duke vuajtur për shkak të tmerreve, që e rrethojnë. Udha e tij kalon jo vetëm ndërmjet shtëpive gjysëm të rrënuara – por edhe ndërmjet kufomave të të vdekurve. Udha e Kishës përshkruhet, kështu, si Udhë Kryqi, si udhë, që duhet përshkuar në kohë dhune, shkatërrimesh e persekutimesh. Është simbol i historisë së një shekulli. Shekullit të kaluar, të luftërave botërore; të luftërave, që shpërthyen një pas një në skaje të ndryshme të botës. Shekull i martirëve, i vuajtjeve, i persekutimeve të Kishës, që pa forma të reja mizorish. Në “pasqyrën” e këtij vegimi, shikojmë dëshmitarët e fesë së disa dekadave. Dëgjojmë fjalët e Zojës së Bekuar: “Në se jo (Rusia) do të përhapë tmerret e saj nëpër botë, duke shkaktuar luftëra e persekutime të Kishës. Të mirët do të martirizohen; Ati i Shenjtë do të vuajë pa masë e shumë kombe do të shkatërrohen”.
Në Udhën e Kryqit, që zgjati një shekull, figura e Papës ka një rol krejt të veçantë. Ngjitja e tij e mundimshme mbi mal, na kujton pa dyshim se disa Papë, që nisin me Piun X e përfundojnë me Papën e sotëm, ndanë me botën vuajtjet e këtij shekulli e u përpoqën, në mesin e saj, të ecin në udhën, që të çon te Kryqi. Në vegim edhe Papa mbytet në udhën e martirëve. A nuk duhej ta njihte Ati i Shenjtë fatin e vet, kur pas atentatit të 13 majit 1981, kërkoi t’ia çonin tekstin e pjesës së tretë të “sekretit”? Kishte shkelur në kufirin e mortjes e ai vetë e shpjegoi shpëtimin e vet, me fjalët: “... ishte një dorë amtare ajo, e cila e udhëhoqi trajektoren e plumbit e Papa, që po jepte shpirt, u ndal në prag të vdekjes” (13 maj 1994). Fakti që një “dorë amtare” e bëri plumbin vdekjeprurës të dredhojë rrugë, tregon edhe një herë se nuk ka fat të pandryshueshëm, se feja e lutja kanë fuqi t’ia ndryshojnë rrjedhën historisë e se, në fund të fundit, lutja është më e fortë se plumbi, më e pushtetshme se përçarjet.
Fundi i “sekretit” të kujton figura, që Luçia mund t’i ketë parë në librat e përshpirtërisë, përmbajtja e të cilave buron nga parandjenjat e lashta të fesë. Është një vegim ngushëllues, i cili dëshiron që një histori lotësh e gjaku, të përshkohet tej e ndanë nga fuqia shëruese e Zotit. Engjëjt mbledhin, nën krahët e Kryqit, gjakun e martirëve e lagin me të shpirtrat, që i afrohen Zotit. Gjaku i Krishtit e gjaku i martirëve këtu bëhen një gjë e vetme: gjaku i martirëve rrjedh nga krahët e Kryqit. Martirizmi i tyre kryhet në solidaritet me mundimet e Krishtit, bëhet një gjë e vetme me to. Martirët përmbushin, në favor të Korpit të Krishtit, atë që u mungon ende mundimeve të Tij (cfr Kol, 24). Edhe jeta e tyre bëhet Eukaristi, përfshihet në misterin e kokrrës së grurit , që bje në tokë e vdes, për të dhënë shumë fryt. Gjaku i martirëve është fara e të krishterëve, ka thënë Tertuliani. Ashtu si nga Vdekja e Krishtit, nga kraharori i tij i shporuar, lindi Kisha, kështu edhe vdekja e dëshmitarëve pllenon jetën e ardhshme të Kishës. Vegimi i pjesës së tretë të “sekretit”, aq i ngarkuar me ankth në fillim, përfundon me një figurë plot shpresë: asnjë vuajtje nuk është e kotë, e pikërisht një Kishë e munduar, një Kishë martirësh, bëhet shenjë treguese për njeriun, që kërkon Hyjin. Por Zoti nuk i pret me krahë hapur vetëm të munduarit, si Lazri, që gjeti ngushëllim të madh e që, misteriozisht, përfaqëson Krishtin, i cili dëshiron të bëhet, për ne, Lazri i varfër; këtu ka diçka më shumë: nga vuajtja e dëshmitarëve, buron forca e pastrimit dhe e risimit, sepse ata i rijetojnë mundimet e Krishtit, duke përçuar, kështu, në të sotmen, forcën e tyre shëlbuese.
Arritëm, kështu, tek pyetja e fundit: “Ç’kuptim ka, në tërsinë e vet (në të trija pjesët) “sekreti” i Fatimës? Ç’na thotë ne, njerëzve të sotëm? Mbi të gjitha, duhet të pohojmë, së bashku me kardinalin Sodano: “... Ngjarjet, për të cilat bën fjalë pjesa e tretë e “sekretit” të Fatimës, duket sikur tashmë i përkasin së kaluarës”. Kush pati pritur zbulime ngacmuese apokaliptike mbi fundin e botës ose mbi rrjedhën, që do të ndjekë historia në të ardhmen, do të mbetet i zhgënjyer. Fatima nuk e kënaq këtë lloj kureshtjeje, ashtu si vetë feja e krishterë, e cila nuk do e nuk mund të jetë e përshtatshme, për të kënaqur kuriozitetin tonë. Atë që mbetet, e pamë menjëherë, që në fillim të reflektimeve tona mbi tekstin “sekret”: është nxitja për t’u lutur, si rrugë e “shëlbimit të shpirtrave” e, me të njëjtin kuptim, edhe thirrja për pendesë e për kthim në rrugën e Zotit.
Dëshiroj, në fund, t’i kthehem përsëri një fjale tjetër kyçe të “sekretit” që, me të drejtë, është bërë e famshme: “Zemra ime e Papërlyer do të ngadhënjejë!”. Ç’do të thotë kjo? Zemra, që hapet për Zotin, e pastruar nga kundrimi i Tij, është më e fortë se pushkët e se armët e të gjitha llojeve. “Fiat” - “Po”, e Marisë, fjala e dalë nga zemra e saj, ia ndryshoi rrjedhën historisë së botës, sepse përmes saj hyri në botë Shëlbuesi - e sepse falë kësaj “po”, Zoti mund të bëhej njeri në hapësirën tonë e të mbetej i tillë sot e përgjithmonë e jetës. Djalli i mallkuar ka pushtet në këtë botë, gjë që e shikojmë dhe e provojmë vazhdimisht; ai ka pushtet, sepse liria jonë na lejon ta shkëputim vëmendjen nga Zoti. Por kur Zoti vetë ka zemër njerëzore dhe e drejton lirinë njerëzore drejt së mirës, drejt Hyjit, liria për të bërë keq nuk e ka më fjalën e fundit. Fjala që u tha atëherë, vlen përgjithnjë: “Ju do të vuani në botë, por kini besim: unë e kam mundur botën!”(Gjn. 16,33). Mesazhi i Fatimës na fton t’i besojmë këtij premtimi!


Joseph Card. Ratzinger - Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. 
 







All the contents on this site are copyrighted ©.