2010-05-13 13:36:19

Tre sekretet e Fatimës


(13.05.2010 RV)Ato, që zakonisht quhen “Tre sekretet e Fatimës”, i përkasin një zbulimi të vetëm privat, të ndarë në tri pjesë.
Pjesa e parë:
“sekretin e parë” motër Luçia rrëfen se Zoja e Bekuar u tregoi tre barinjve: “… një det të madh zjarri, që dukej sikur ishte nën dhé. Të zhytur në këtë zjarr, djajtë e shpirtrat, si të ishin gaca transparente, të zeza ose ngjyrë bronzi, me forma njerëzore, flauronin në zjarr […]. Djajtë dalloheshin nga shpirtrat, sepse kishin forma të tmerrshme e të neveritshme kafshësh të frikshme e të panjohura, por gjithnjë transparente e të zeza. Ky vegim zgjati një çast të vetëm. Shpëtuam, falë Nënës sonë Qiellore e cila, që në fillim të dukjes, na kishte premtuar se do të na çonte në qiell, përndryshe do të kishim vdekur menjëherë nga frika e tmerri.

Pjesa e dytë:
Në pjesën e dytë, vijim i së mëparshmes, sipas tregimit të motër Luçisë, Zoja e Bekuar u flet barinjve të vegjël e u thotë: “Patë ferrin, ku rrogomisen shpirtrat e mëkatarëve të varfër. Për t’i shpëtuar, Zoti dëshiron që njerëzit të përhapin devocionin për Zemrën time të Papërlyer. Në se do të bëjnë atë, që do t’u them, shumë shpirtra do të shpëtojnë e do të kenë paqe. Lufta po mbaron, por në se njerëzit do të vazhdojnë ta fyejnë Zotin, gjatë papnisë së Piut XI do të fillojë një luftë tjetër, edhe më e keqe. Kur të shihni një natë të ndriçuar nga një dritë e panjohur, do ta merrni vesh se kjo është shenja, që jep Zoti, për të treguar se po fillon ta ndeshkojë botën për krimet e saj, me luftë, me uri e me persekutimin e Kishës e të Atit të Shenjtë. Për t’i vënë pritë një rreziku të tillë, kërkoj që Rusia t’i kushtohet Zemrës sime të Papërlyer e njerëzit të marrin Kungimin shëlbues në të shtunat e para të muajit. Në se do të plotësohen kushtet e mia, Rusia do të kthehet në rrugë të Zotit e do të kenë paqe; në se jo, do t’i përhapë tmerret e veta nëpër botë, duke nxitur luftëra e persekutime kundër Kishës. Të mirët do të martirizohen, Atit të Shenjtë do t’i duhet të vuajë tepër, shumë kombe do të shkatërrohen. Por në fund të fundit, Zemra ime e Papërlyer do të triumfojë e Ati i Shenjtë do të ma kushtojë Rusinë, e cila do të kthehet në rrugën e Zotit e bota do të gëzojë një periudhë paqeje.

Pjesa e tretë:Pjesa e tretë e zbulimit u shkrua nga motër Luçia në një letër, dorëzuar në vitin 1944 ipeshkvit të Leiries. Në të shkruhet: “Pas dy pjesëve, për të cilat kam folur, pamë në të majtë të Zojës, pak më lart, një Engjëll. Në dorën e majtë kishte një shpatë të zjarrtë: duke lëshuar shkëndija, përhapte një flakë, që dukej se do t’i kallte zjarrin mbarë botës; por shkëndijat shuheshin, sapo takoheshin me dritën, që delte nga dora e Zojës sonë, e drejtuar nga ai. Engjëlli, duke treguar tokën me të djathtën e tij, me zë buçimtar, tha: “Pendesë, pendesë, pendesë!”. E, pamë, në një dritë të madhe, që është Zoti, “ashtu si shikojnë njerëzit në pasqyrë, kur i kalojnë para”, një ipeshkëv të veshur me të bardha; patëm parandjenjën se ishte Ati i Shenjtë. Ipeshkvij të tjerë, pastaj, priftërinj, rregulltarë e rregulltare, duke u ngjitur mbi një mal të thepisur, në maje të të cilit ishte një Kryq i madh, i bërë me trungje të pagdhendur, si të ishin prej lisi, me gjithë lëvore. Para se të arrinte aty, Ati i Shenjtë përshkoi, duke u luhatur, një qytet të madh, gjysma e të cilit ishte kthyer në gërmadhë, në sa gjysma tjetër lëkundej si prej tërmeti. I tronditur thellë nga dhimbja e mundimi, lutej për shpirtrat e kufomave, që ndeshte gjatë udhës; si arriti në maje të malit, i ulur në gjunj te këmbët e Kryqit të madh, u vra nga një grup ushtarësh, që e qëlluan disa herë me armë zjarri e me shigjeta, e ashtu vdiqën, njëri pas tjetrit, edhe ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e shumë shekullarë, burra e gra të klasave e të shtresave të ndryshme. Nën dy krahët e Kryqit ishin dy Engjëj, me një lagëse kristali në dorë, në të cilën mblidhnin gjakun e Martirëve, për të lagur me të shpirtrat, që i afroheshin Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.