2010-05-13 17:42:32

Përkujtohet sot 29 vjetori i atentatit kundër Gjon Palit II


( 13. 05. 2010 RV )29 vjet më parë, Papa Gjon Pali II u qëllua nga Ali Agça në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Është ende i gjallë kujtimi i emocionit të mbarë njerëzimit, dëshmitar në një histori faljeje, misteri e devocioni të madh marian.
Pak pas orës pesë pasdite, 29 vjet më parë, më 13 maj 1981 Kisha e të pesë kontinenteve e jo vetëm Kisha, u trondit thellë nga një lajm i jashtëzakonshëm: një burrë kishte qëlluar për të vrarë Papën. Sheshi i Shën Pjetrit më parë e pastaj Poliklinika Gjemeli, u bënë skenat e dramës së atentatit kundër Gjon Palit II. Kjo ngjarje, që pati jehonë të fuqishme mediatike, duke lënë në kujtesën kolektive gjurmët e pashlyeshme të një Pape të plagosur për vdekje – u lidh më pas me historinë e një faljeje edhe më të jashtëzakonshme e me një ndërmjetësi tronditëse të Zojës së Bekuar. E Papa Gjon Pali II qe gjithnjë i bindur se shpëtoi pikërisht përmes kësaj ndërmjetësie.
“Provania Hyjnore më shpëtoi mrekullisht nga vdekja. Ai që është i vetmi Zot i jetës dhe i vdekjes, Ai vetë ma zgjati këtë jetë, madje në një farë mënyre, ma dhuroi rishtas. Që na ky çast i përket edhe më tepër Atij”.
Vijoi ta çudiste botën, Gjon Pali II, me atë që ndodhi më 13 maj 1981. Fjalët që posa i lexuam, të shkruara më 17 mars të vitit 2000, janë shkëputur nga testamenti i Papës Vojtila, publikuar pas vdekjes së Tij, vdekje që, një pasdite me diell deshi t’ia merrte jetën para kohe “Ipeshkvit të veshur me të bardha”, “Papës së ardhur nga larg”.
Dy relike, të pazakonshme për një Kryebari të Kishës, dëshmojnë ende sot për ngjarjen që ndodhi atë ditë, kur një plumb tinëzar u nis papritmas drejt zemrës së Gjon Palit II. Fasha e shpuar nga ky plumb i kalibrit nëntë ndodhet sot në Shenjtëroren e Jasna Gorës. Ndërsa vetë plumbi i cili, nga mjet i vdekjes, u kthye në dhuratë të kushtuar, u ngërthye në kurorën e Zojës së Fatimës. Më 13 maj 1981, Papa i ri polak dëshironte t’i fliste turmës së mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për 90-vjetorin e Enciklikës ‘Rerum Novarum’ të Leonit XIII e të njoftonte për lindjen e dy organizmave papnore: Këshillit Papnor të Familjes dhe Institutit të Studimeve për Martesën dhe Familjen. Atentati e pengoi. Fjalët e pathëna atë ditë, kaluan ndër arkiva.
Ky 13 maj tragjik, kurdisja kriminale e të cilit ishte ende e errët, na la si kujtim Gjon Palin II në mes turmës që qeshte, që brohoriste, që rendte për t’i shtrënguar dorën e marrë bekimin e Zotit nga Papa e, që i zgjaste një fëmijë për ta puthur, ndërsa gryka e zezë e një pistolete ngrihej mbi kokat e njerëzve.
Papa i ri, që kishte shkelur gjysmën e botës, po vdiste në Poliklinikën Gjemeli të Romës. Pesë orë agonie edhe për Kishën e për botën - orët e operacionit, që u shndërruan më pas në shpresë e në pritje të rikthimit të Atit të Shenjtë në gjirin e Kishës. Do të kalonte një muaj para këtij kthimi. Por Gjon Pali II nuk mund të duronte për një kohë kaq të gjatë larg besimtarëve. Vetëm katër ditë më pas, të dielën, më 17 maj 1981, duke kapërcyer rregullat e protokolleve shekullore, kërkoi një mikrofon dhe e tha lutjen e Engjëllit të Tënzot nga krevati i spitalit. Gjëja e parë që bëri, ishte të falte Ali Agçanë, turkun 22 vjeçar, dora e të cilit, që e çoi në grykë të varrit, ishte armatosur nga duar misterioze:
“Lutem për vëllain që më qëlloi të cilin e kam falur me gjithë zemër”
Një vit më vonë, më 13 maj 1982, Gjon Pali II ishte në Fatima për një falënderim të veçantë ndaj Zojës së Bekuar. Ai nuk dyshoi kurrë se e kishte shpëtuar Virgjëra që i qe dukur tre barinjve të vegjël më 1917. E prandaj në Shenjtëroren e Fatimës në Protugali, përsëriti para mbarë botës, moton, që e shoqëroi gjithë jetën: “Totus Tuus – “Jam krejt yti, o Nënë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.