2010-05-13 18:16:23

Papa në takimin me veprimtarët e fushës shoqërore: institucionet katolike të kenë një identitet të qartë; laikët t’i largohen kulturës mbizotëruese.


(13.05.2010 RV)Pasdite, në orën 18.00, me orën Evropiane, Papa Benedikti XVI u takua me organizatat portugeze, katolike e jo, të impenjuara në fushën shoqërore, në kishën e Trinisë Shenjte pranë shenjtërores së Zojës së Fatimës. Papa kremtoi Liturgjinë e Fjalës dhe pasi u takua një për një, me përfaqësuesit e organizatave, bekoi gurin e parë të një qendre të Mizerikordies Portugeze, që do të ndërtohet në Fatima.
Që në fillim të homelisë, Ati i Shenjtë tregoi se e di fort mirë se kohët janë të vështira. Varfëria ka emra e forma të tjera, por Kisha është gjithnjë e thirrur t’u bëjë ballë këtyre sfidave:
“Skenari aktual historik është ai i krizës ekonomiko-shoqërore, kulturore dhe shpirtërore e vë në pah mundësinë e zgjidhjeve të orientuara nga propozimi krijues i mesazhit shoqëror të Kishës. Studimi i doktrinës së saj shoqërore, që ka si parim kryesor bamirësinë dhe dashurinë, do të mundësojë përvijimin e një procesi zhvillimi njerëzor të plotë, që përfshin thellësitë e zemrës dhe arrin humanizimin më të madh të shoqërisë”.
Duke cituar enciklikën e tij shoqërore “Caritas in Veritate”, Benedikti XVI sqaroi se nuk është fjala thjesht për dije intelektuale, por për një urti krijuese, që u jep shije me elemente të reja, zgjidhjeve për të dalë nga kriza. E iu drejtua laikëve:
“Në përmasën e saj shoqërore e politike, kjo diakoni bamirësie është karakteristikë e besimtarëve laikë, të thirrur të nxisin të mirën e përbashkët, drejtësinë dhe të përvijojnë drejt jetën shoqërore…. Por, shpesh, nuk është e lehtë të arrihet një sintezë e pëlqyeshme ndërmjet jetës shpirtërore e asaj të aktivitetit apostolik. Presioni që ushtron kultura mbizotëruese, e cila paraqet me këmbëngulje një stil jete, bazuar mbi ligjin e më të fortit, mbi fitimin e lehtë, ndikon mbi mënyrën e të menduarit, mbi planet e perspektivat e shërbimit tonë, duke rrezikuar t’i zhveshë nga ai motivacion feje e shprese, që qëndronte në bazën e tyre”.
Papa kërkoi që meshtarët t’u kushtojnë më tepër vëmendje formimit të laikëve me përmasën e shërbimit, sidomos të atyre, që më vonë mund të bëhen udhëheqësit e shoqërisë. Nga ana tjetër, siç ka bërë shpesh kohët e fundit, i këshilloi institucionet katolike të jenë shembull:
“Orientimi i tyre duhet të jetë i qartë, që të kenë një identitet të përcaktuar mirë: në frymëzimin e objektivave, në zgjedhjen e burimeve njerëzore, në metodat e zbatimit, në cilësinë e shërbimeve, në seriozitetin dhe në administrimin e frytshëm të mjeteve… hap themelor është t’i jepet veprimtarisë bamirëse të krishterë autonomi e pavarësi nga politika dhe ideologjitë”.
Të drejtat e njeriut, lufta për mbrojtjen e jetës, kundër abortit, mbrojtja e familjes dhe e martesës, sipas Papës, janë elemente thelbësore për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë. Këto ndërthuren mirë me mesazhin e Zojës së Fatimës, e cila kërkon pendesë, lutje, falje, që kanë për qëllim kthimin e zemrave.







All the contents on this site are copyrighted ©.