2010-05-13 13:33:54

Papa ia beson e ia kushton meshtarët, Zojës së Fatimës


Nënë e Papërlyer,
në këtë vend hiri,
të grishur nga dashuria e Birit tënd, Jezus,
Kryemeshtarit të amshuar, ne
bij në Birin e meshtarë të tij,
i kushtohemi Zemrës sate amtare,
për të bërë besnikërisht vullnetin e Atit.

E dimë se, pa Jezusin
Nuk mund të bëjmë asgjë të mirë, (cfr Gjn 15,5)
e se vetëm për Të, me Të e në Të,
do të jemi për botën,
mjete shëlbimi!

Vashë e Shpirtit Shenjt,
na e jep dhuratën e paçmuar
të shndërrimit në Krishtin.
Nëpër të njëjtën fuqi të Shpirtit që,
duke shtrirë përmbi ty hijen e vet
të bëri Nënë të Shëlbuesit.
Ndihmona që Krishti, yt Bir
të lindë edhe në shpirtin tonë,
e Kisha të rinohet prej meshtarëve të saj,
të shndërruar nga hiri i Atij,
që di ta bëjë gjithçka krejt të re.

O Nënë e Mëshirës
ishte yt Bir, ai që na thirri
të ecim mbas tij, të bëhemi si Ai,
të mos i shtrohemi egoizmit,
joshjeve të botës,
dredhive të Djallit.

Na ruaj me pastërtinë tënde,
na mbro, me përvujtërinë,
na mbështill me dashurinë tënde amtare,
që pasqyrohet në shumë shpirtra
të cilët t’u kushtuan,
e u bënë për ne,
nëna të vërteta shpirtërore.

O Nënë e Kishës
ne, meshtarët,
duam të jemi barinj
që nuk kullosin vetveten
por ia dhurojnë gjithë vetveten
Zotit e vëllezërve;
e gjejnë, në këtë dhurim
lumturinë e vërtetë.
Jo me fjalë, por me jetë,
ne duam përvujtërisht,
të përsërisim ditë për ditë:
“Ja shërbëtori yt!”.

Na prij, o Nënë:
duam të jemi Apostuj
të Mëshirës Hyjnore;
të lum në kremtimin e përditshëm
të Flijes Shenjte të Elterit;
gati t’ia ofrojmë, kujt e kërkon,
sakramentin e pajtimit me Zotin.

Avokate e Ndërmjetëse e hirit,
ti që i përket plotësisht,
të vetmit ndërmjetësim universal të Krishtit,
lutju Hyjit të na japë,
një zemër krejt të përtërirë,
që Zotin e do me të gjitha forcat
e i shërben njerëzimit, ashtu si i shërbeve Ti.

Përsëritja Zotit,
Fjalën tënde plot hir:
“Nuk kanë më verë (Gjn. 2,3)
që Ati e Biri të ndikojnë mbi ne,
në një reshje të vetme:
Shpirtin e Shenjtë ngushëllues.

Plot mrekullim e mirënjohje,
pse je përherë mes nesh,
në emër të të gjithë meshtarëve,
nuk mund të mos brohoris:
“Nga e pata fatin të vijë tek unë
vetë Nëna e Zotit? (Lk. 1,43)

Ti sot e përherë Nëna jonë
na do me dashuri që s’ ka fund,
na ngushëllon, na jep dorën
na mbron
e vjen me vrap drejt nesh
na shpëton nga çdo rrezik,
që varet mbi kokën tonë.
Me këtë akt besimi e përkushtimi
duam të të mikpresim në zemrat tona,
më thellë, më plotë,
përgjithmonë, me gjithë vetveten
në jetën tonë njerëzore
e meshtarake.

Prania jote e bëftë shkretëtirën
e vetmive tona - të lulëzojë,
e diellin, të shndrisë
mbi terrina tona;
na e jep hirin e qetësisë pas furtunës,
që çdo njeri të shikojë
shëlbimin e Zotit,
i cili ka emrin e fytyrën e Jezusit,
vulosë në zemrat tona,
me zemrën tënde bashkuar
sot e përgjithmonë.
 Ashtu qoftë!







All the contents on this site are copyrighted ©.