2010-05-13 13:36:04

Fatima: Barinjtë e vegjël


(13.05.2010 RV)Luçia de Jesus, protagonistja kryesore e Dukjeve, lindi më 22 mars 1907, në Aljustrel, në famullinë e Fatimës. Më 17 qershor 1921 hyri në Kolegjin e Vilarit (Porto), të drejtuar nga Motrat e Shën Dorotesë. Më pas kaloi në Tyi, ku veshi petkun rregulltar e mori emrin Maria- Luçia e Zojës së Dhimbshme. Kushtet e përkohshme i bëri më 3 tetor 1928; të përhershmet, më 3 tetor 1934. Më 25 mars 1948 u transferua në Koimbra, ku hyri në Karmelin e Shën Terezës, duke marrë emrin Motër Maria Luçia e Zemrës së Papërlyer. Më 31 maj 1949 bëri përsëritjen e kushteve solemne.
U rikthye në Fatima disa herë: në maj 1946; më 13 maj 1967; në vitin 1981, për të drejtuar, në Karmel, punimet e pikturës kushtuar Dukjeve të Fatimës; më 13 maj 1982, 1991 e 2000, me rastin e tri vizitave të Gjon Palit II. Vdiq në Karmelin e Shën Terezës të Koimbrës, më 13 shkurt 2005. Tri vjet pas vdekjes, filloi çështja për lumnimin e saj.

Françesko Marto lindi më 11 qershor 1908, në Aljustrel. Vdiq shenjtërisht më 4 prill 1919, në shtëpinë atërore. Shumë i ndjeshëm e kundrues, gjithë përshpirtërinë dhe kundrimin i përqëndroi në ngushëllimin e Zotit. Trupi i tij mbeti i varrosur në varrezën famullitare deri më 13 mars 1952, kur u mbart në bazilikën e Kova da Iria.

Xhaçinta Marto lindi në në Aljustrel, më 11 mars 1910. Vdiq shenjtërisht në shkurt 1920, në spitalin e Shën Estefanisë, në Lisbonë, pas një sëmundjeje të gjatë e të dhimbshme, duke i ofruar të gjitha vuajtjet për kthimin e mëkatarëve, për paqen në botë e për Atin e Shenjtë. Më 12 shtator 1935, trupi i saj u mbart solemnisht nga varri i familjes, në Barone Alvaiazére, në Ourem, në varrezën e Fatimës, pranë trupit të të vëllait, Françeskut. Më 1 maj 1951, u mbart përsëri e u vendos në një varr të ri, përgatitur për të në Bazilikën e Kova da Iria.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.