2010-05-13 19:04:00

Benedikti XVI: “Ushqeni dritën e fesë që rrezikon të shuhet.”


“Deti i dritave” i shtegtarëve që thonë rruzaren me Papën në lutjen e Mbrëmësores në Fatima: Benedikti XVI: “Ushqeni dritën e fesë që rrezikon të shuhet.”

Dita e dytë e vizitës së Papës në Portugali u mbyll dje në mbrëmje me detin e dritave të qirinjve të mijëra shtegtarëve që thanë Rruzaren bashkë me Papën në Kapelën e Dukjeve në Shenjtëroren e Fatimës.

Për një natë “kaçuba e ndezur” e Moisiut u ndez edhe në Fatima. Kjo është përshtypja që i la Benediktit XVI “deti i dritave”, siç e quajti ai, që shtrihej sa të hante syri. Më se 200 mijë qirinj dhe llamba u mblodhën përpara dhe në Kapelën e Dukjeve të Shenjtërores portugeze për të dëgjuar Papën dhe për të thënë bashkë me të rruzaren. Edhe “rruga e kthimit nga toka në qiell” e Zojës, kujtoi në fjalën e vet drejtuar besimtarëve Papa, iu duk barinjve “si një rreze drite”. Dhe, kështu, pamja e dritave natën e Fatimës, e frymëzoi Papën për një mendim që pastaj, nuk është gjë tjetër veçse vërtetim i mesazhit të shprehur shumë herë gjatë këtyre ditëve të udhëtimit të tij apostolik:

“Në kohën tonë, në të cilën feja nëpër zona të gjëra të globit rrezikon të shuhet si flaka që nuk ushqehet më, ka përparësi mbi gjithçka që ta bëjmë Zotin të pranishëm në këtë botë dhe t’u japim njerëzve mundësi të bashkohen me Të (...) Mos kini frikë të flisni për Zotin dhe t’i shfaqni pa frikë shenjat e fesë, duke bërë të shkëlqejë përpara syve të bashkëkohësve tuaj drita e Krishtit”.

Krahasimi ndërmjet Fatimës dhe kaçubës së Moisiut tregon, pohoi Papa, se përpara të drejtës njerëzore për të pasur një copë tokë ku të jetosh – dhe Moisiu në fakt pas takimit me Zotin do t’i çlironte hebrenjtë nga Egjipti – vjen “ e drejta e lirisë së adhurimit”, e kultit, ajo që duhet të mbrohet dhe ruajtur. “Një hapësirë e hapur për Zotin” si ajo e para 93 vjetëve që tre barinj të vegjël hapën mbi një copë tokë, mbasi që ia kishin hapur zemrën Virgjërës Mari:

Në këtë vend të mahnit fakti sesi tre fëmijë iu dorëzuan forcës së brendshme që i pushtoi tërësisht gjatë dukjeve të Engjëllit dhe të Nënës Qiellore. Këtu, ku shumë herë na është kërkuar të themi Rruzaren, le të na tërheqin misteret e Krishtit, misteret e Rruzares së Marisë (...) Le të kundrojmë pjesëmarrjen intime të Marisë në këtë mister dhe në jetën tonë në Krishtin sot, që paraqitet si e ndërthurur me çaste gëzimi dhe dhimbjeje, hijesh dhe drite, me ankth e me shpresë.







All the contents on this site are copyrighted ©.