2010-05-11 17:22:06

Përkujtojmë Atë Mateo Riçin, jezuit, misionar në Kinë, në 400-vjetorin e vdekjes.


(11.05.2010 RV)RealAudioMP3 Meshtar dhe shkencatar, njeri i ditur dhe karizmatik. Ky qe Atë Mateo Riçi, jezuiti i ri italian, misionar në Kinë, në kohën e dinastive Ming dhe Qing. Njeri i dialogut, Atë Riçi diti të ndërtojë një urë të fortë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Sot bie 400-vjetori i vdekjes së tij, më 11 maj 1610. Në mikrofonin tonë flet drejtori i “Institutit Mateo Riçi për marrëdhëniet me Lindjen” prof. Filipo Minjini, me qendër në Maçeratë, vendlindje e meshtarit misionar, ku këtë vit po organizohen shumë veprimtari që synojnë vlerësimin e këtij personaliteti.

Pyetje: Prof. Minjini, ky përvjetor bie në një çast historik të veçantë për hapjen politike dhe ekonomike të marrëdhënieve kulturore me Lindjen, posaçërisht me Kinën. Çfarë mund të na mësojë për të tashmen jeta dhe vepra e Atë Mateo Riçit?

Përgjigje: Duhet të kuptojmë se misioni kinez i Riçit dhe i shokëve të tij, para katër shekujsh, pati sukses falë takimit të jashtëzakonshëm të kulturës së tyre të krishterë dhe jezuite e cila në vend të parë vinte dashurinë, kuptuar si përgjegjësi ndaj vetvetes dhe të afërmit, dhe do të thosha edhe ndaj botës ku jetojmë. Kjo përkonte me idenë që kishin edhe kinezët, bashkëbisedues të Riçit, me një fjalë, parimi se njeri perfekt është ai që vepron duke iu bindur hyjnores dhe ndjek ligjet e natyrës. Në këtë pikë u takuan intelektualët perëndimorë dhe kinezë dhe arritën të realizojnë takimin e jashtëzakonshëm të dy qytetërimeve që deri në atë çast nuk njiheshin, por që e pranuan njëri-tjetrin si pjesë të të njëjtit njerëzim. Ky më duket se është edhe mësimi i parë që duhet ta shikojmë më me kujdes.








All the contents on this site are copyrighted ©.