2010-05-11 14:13:08

Lisbona


(11.05.2010 RV)Është kryeqyteti i Portugalisë me 564.657 banorë, por edhe porti kryesor e qendra më e madhe urbane, ekonomike, kulturore e turistike e vendit. Emri vjen nga “Olisipo” (variant i Ulyssipo) dhe i referohet themeluesit, Uliksit, heroit të Odisesë së Homerit. Qyteti ngrihet në bregun e djathtë të lumit Tago (Rio Tejo), pak kilometra nga Oqeani Atlantik. Disa lagje të qendrës historike (Alfama dhe Barrio Alto) ruajnë edhe sot e kësaj dite një atmosferë tipike mesjetare. Qyteti ka një universitet, Fondacionin kulturor Calouste Gulbenkian (afarist armen, me pasaporte portugeze, që ka vdekur në Lisbonë më 1955), kuvendin “Mosteiro dos Jerònimos de Belém”, Kullën e Belemit, simbol i Lisbonës dhe roje e lashtë në mbrojte të kryeqytetit (1515-1519), si edhe kështjellën “Sao Jorge” që dominon qendrën historike. Të rëndësishme janë edhe Katedralja (1147), Muzeu Gulbenkian (1969), ku gjenden antikitete të rëndësishme greko-romake, egjiptiane, të Lindjes së Mesme, ekzemplarë të artit islamik, të Azisë qendrore dhe të shkollave kryesore evropiane, të Artit Antik, si edhe Muzeu i Karrocave (më i madhi i botës). Kryeqyteti më perëndimor i kontinentit evropian ka një gji të mrekullueshëm në det, “Mar de Palha” (Deti i Xunkthit), zotëron urën më të gjatë të varur në Evropë, “Urën e 25 prillit” ndërtuar në vitin 1966 (3,22 km).







All the contents on this site are copyrighted ©.