2010-05-11 17:21:04

Irak. 114 të vdekur dhe 400 të plagosur në njëzet atentate.


(11.05.2010 RV)Dita e djeshme në Irak, ishte më e përgjakshmja që nga fillimi i vitit. 114 të vdekur dhe 400 të plagosur në njëzet sulme me autobomba që përfshinë gjithë vendin. Ministria e shëndetit lajmëroi se së paku 42 vetë u vranë vetëm në atentatin e Basorës, qyteti i dytë irakian pas Bagdadit.
Në planin politik, kryeministri Alaui tha se grupet politike i kanë braktisur përpjekjet për një qeveri të përbashkët dhe po ndjekin interesat etnike sipas udhëzimeve të Iranit. Ndërkohë sa vjen e afrohet data e tërheqjes së trupave amerikane nga vendi. Mbi gjendjen në vend, në mikrofonin tonë flet delegati i Pax Christi Italia për Irakun, Dom Renato Sako:

Përgjigje: Iraku gjendet vazhdimisht nën presionin e interesave të mëdha që janë në lojë, dhe kuptohet, në formimin e qeverisë kërkohet ky ose ai post udhëheqës me presion atentatesh, viktimash.

Pyetje: Goditen xhami, komisariate policie, civilë, ushtarakë, me një fjalë objekte shumë të ndryshme, apo jo?

Përgjigje: Kjo tregon se dhuna është kundër popullatës. Ndonjëherë kundër të krishterëve, siç ndodhi para disa ditësh, ndonjëherë nuk bën dallim dhe drejtohet kundër të gjithëve. Mendoj se duhet të ketë një ndërgjegjësim më të madh nga ana e të gjithëve që të mos mësohemi me këtë tragjedi.







All the contents on this site are copyrighted ©.