2010-05-10 18:22:18

Papa në Portugali: Programi i vizitës, 11-14 maj 2010


E premte, 14 maj 2010
Rreth orës 8.00, Papa do të largohet nga “Shtëpia e Zojës së Karmos”, në Fatima e do të niset për në Porto. Këtu, në orën 10.15 do të kremtojë Meshën, në Sheshin e Madh “Av.dos Aliados” e, në përfundim, do të niset për në Aeroportin Ndërkombëtar “Sà Carniero’ të Portos, ku do të mbahet ceremonia e lamtumirës. Pas ceremonisë, nisja për në Aeroportin romak të Çampinos, ku Papa pritet të arrijë rreth orës 18.00.

---------------------------------
E martë, 11 maj 2010
Shtegtimi Apostolik i Benediktit XVI në Portugali filloi të martën, 11 maj. Papa u nis për Lisbonë me avion, nga Aeroporti Ndërkombëtar romak ‘Leonardo da Vinçi” i Fiumiçinos. Arriti në Portugali rreth orës 11.00, pas një fluturimi prej rreth dy orësh. Gjatë pritjes zyrtare në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Portela’ të Lisbonës, Papa mbajti fjalimin e parë, atë të përshëndetjes, drejtuar Portugalisë e popullsisë së saj. Më pas shkoi në Nunciaturën Apostolike të Lisbonës e, prej atje, në Mosteiro dos Jerónimos, gjithnjë në Lisbonë. Është një manastir i ndërtuar rreth viteve 1502-1580 mbi vetmitoren e Shën Marisë së Belém, dhuruar nga Mbreti Manueli I Urdhërit të Vëllezërve të Shën Jeronimit. Këtu, në orën 12.45 u mbajt ceremonia e mirëseardhjes, pasuar nga një vizitë e shkurtër në Kishën e Shën Marisë së Belém, ku Papa u gjunjëzua për disa çaste para të Shenjtnueshmit Sakrament, për të vizituar, më pas, kiostrin e Manastirit.
Në vijim, Benedikti XVI i bëri një vizitë mirësjelljeje Presidentit të Republikës, Zotit Anibal Cavaco Silva, në ‘Palácio de Belém” të Lisbonës, që njihet edhe me emrin “Pallati Cor de Rosa”, për shkak të ngjyrës së fasadës.
Në orën 18.15, Mesha Shenjte në ‘Terreiro do Paço” – “Sheshi i Pallatit”, në Lisbonë, kryesuar nga Ati i Shenjtë, në bashkëkremtim me klerin vendas.

Të mërkurën, 12 maj, Papa e nisi me Meshën Shenjte, kremtuar privatisht në Kapelën e Nunciaturës Apostolike të Lisbonës.
Në orën 10 nisi takimi me botën e kulturës, në “Qendrën Kulturore të Belém”, Lisbonë, ku Papa mbajti fjalimin, drejtuar përfaqësuesve të fushave të ndryshme të kulturës portugeze.
Më pas Benedikti XVI u takua me Kryeministrin, në Nunciaturën Apostolike të Lisbonës.
Rreth orës 16.40 u nis me helikopter në Fatima, nga Aeroporti Ndërkombëtar ‘Portela’ i Lisbonës, për t’u ulur në Eliportin e Stadiumit Bashkijak të Fatimës.
Më pas Papa vizitoi Kapelën e Dukjeve, në Sheshin e Shenjtërores së Fatimës e kremtoi Lutjet mbrëmësore me priftërinjtë, rregulltarët, seminaristët e diakonët, në Kishën e “SS.ma Trinidade” të Fatimës, ku u drejtoi fjalën të pranishëmve.
Në orën 21.30, pas bekimit të pishtarëve në Sheshin e Shenjtërores së Fatimës, u foli besimtarëve, për të thënë, më pas, me ta Rruzaren Shenjte, në Kapelëzën e Dukjeve.

E enjte, 13 maj
Veprimtaria kryesore e së enjtes ishte Mesha Shenjte në Sheshin e Shenjtërores së Fatimës, me homelinë e rastit. Pas drekës në mensën e madhe të “Casa Nossa Senhora do Carmo’ të Fatimës, me ipeshkvijtë e Portugalisë dhe grupin që e shoqëron, Papa u takua me organizatat e baritorisë shoqërore në Kishën “SS.Ma Trinidade” të Fatimës.
Në përfundim të kësaj dite, takimi, rreth orës 18.45, me ipeshkvijtë e Portugalisë, në Sallën e Konferencave të “Shtëpisë së Zojës së Karmos”, në Fatima. Këtu Papa mbajti një fjalim.







All the contents on this site are copyrighted ©.