2010-05-10 17:35:16

Në lutjen “Mbretëreshës Qiellore” Benedikti XVI kërkoi uratë për shtegtimin e tij në Portugali dhe bekoi Kongresin eukaristik në Brazil.


(10.05.2010 RV)Ftesa për lutje, në prag të shtegtimit apostolik në Lisbonë e në Fatima, përshëndetja e përzemërt drejtuar pjesëmarrësve të Kongresit të ardhshëm Eukaristik të Brazilit dhe ftesa për ta mbajtur lart cilësinë e mësimit në shkollat katolike, ishin temat kryesore, që preku dje në mesditë Benedikti XVI. Para e pas lutjes, drejtuar Mbretëreshës Qiellore, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa i kushtoi një mendim shpirtëror Marisë që – theksoi – i dhuroi botës një pranverë të re.

Maji, muaj i pranverës e muaj marian. Benedikti XVI i lidhi ngushtë kontekstin stinor e atë liturgjik, në të cilin Kisha kujton Nënën e Krishtit. Në këtë periudhë – vërejti Papa - në hemisferën tonë pranvera shpërthen në lule shumëngjyrëshe; klima e butë të fton të dalësh nga shtëpia, të shëtitësh, të organizosh ekskursione. Ndërsa për të krishterët kjo është Koha e Pashkëve, koha e Alelujës, koha e pritjes së Rrëshajëve. Një periudhë – vijoi Ati i Shenjtë – që e intonon mirë traditën e Kishës për t’ia kushtuar muajin e majit Virgjërës Mari:
Ajo është vërtetë lulja më e bukur, që lulëzoi nga krijimi; trëndafili, që u duk në përmbushjen e kohëve, kur Hyji, duke dërguar Birin e vet, i dhuroi botës një pranverë të re. E njëkohësisht, ajo është protagoniste, e përvujtë e e kujdesshme, e hapave të para të bashkësisë së krishterë: Maria është zemër shpirtërore e kësaj bashkësie, sepse vetë prania e saj në mes të dishepujve, është kujtesë e gjallë e Zotit Jezus e peng i dhuratës së shpirtit të tij”.
E pikërisht në zemër të këtij muaji marian – vijoi Benedikti XVI – do të kem gëzimin të shkoj në Portugali, për të vizituar Lisbonën e Porton e për të arritur, pastaj, edhe në Fatima, me rastin e dhjetëvjetorit të lumnimit të dy barinjve të vegjël, Xhaçintës e Françeskos:
“Për herë të parë, si pasardhës i Shën Pjetrit, do të shkoj në këtë Shenjtërore mariane, aq të dashur për Gjon Palin II. I ftoj të gjithë të më shoqërojnë në këtë shtegtim, duke marrë pjesë gjallërisht në të me lutje: me një zemër të vetme e një shpirt të vetëm, ta lusim Virgjërën Mari të ndërmjetësojë për Kishën, posaçërisht për meshtarët e për paqen në botë”.
Pas lutjes së Mbretëreshës qiellore, Papa i drejtoi një përshëndetje të gjatë, në gjuhën portugeze, popullit brazilian, i cili më 13 deri më 16 majin e ardhshëm do të jetojë atmosferën e Kongresit të 16-të eukaristik kombëtar, në të cilin Benedikti XVI ka caktuar si përfaqësues, kardinalin Klaudio Hummes. Motoja e Kongresit, fjalët e dishepujve të Emausit: “Rri me ne, o Zot!”, shprehin – tha Benedikti XVI – dëshirën që rreh në zemrën e çdo njeriu:
“Possais todos vós, pastores e povo fiel...
Ju të gjithë, barinj e besimtarë, mund të rizbuloni se zemra e Brazilit është Eukaristia. Pikërisht në të Shenjtnueshmin Sakrament të Elterit, Jezusi shpreh dëshirën e tij për të qenë me ne, për të jetuar në ne, për të na u dhuruar ne. Kulti i tij na mëson të njohim përparësinë e Hyjit, sepse vetëm Ai mund t’i shndërrojë zemrat e njerëzve, duke i çuar në bashkim me Krishtin, në një korp të vetëm”.
E, duke menduar për përfundimin e Vitit meshtarak, Papa i ftoi të gjithë meshtarët të kultivojnë një përshpirtëri të thellë eukaristike, sipas shembullit të Famullitarit të Shenjtë të Arsit.
Ndërmjet përshëndetjeve në gjuhën italiane, Benedikti XVI kujtoi pjesëmarrësit e Maratonës së 30-të të Pranverës-Festë e shkollës katolike, kryesuar nga kardinali mëkëmbës, Agostino Valini. Papa përfundoi duke u uruar të gjithëve – drejtues, mësues, nxënës e prindër të shkollave katolike, në të katër anët e Italisë – ta përfundojnë sa më mirë këtë vit shkollor:
“Ju inkurajoj, sidomos, ta mbani gjithnjë lart cilësinë e mësimit e të edukimit në shkollat tuja, të cilat janë pasuri shumë e çmuar për Kishën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.